Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian janë shprehur të shqetësuar për situatën e vazhdueshme të tensionuar në veri të Kosovës.
Në një deklaratë të përbashkët SHBA-të dhe BE-ja u kanë bërë thirrje palëve që të përmbahen nga provokimet dhe kërcënimet, e të ndërmarrin veprime të menjëhershme për ta zbutur situatën.
Tutje në deklaratën e përbashkët të BE-së dhe Departamentit të Shtetit të SHBA-së, thuhet se po punohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për të gjetur një zgjidhje politike për të ulur tensionet.
“BE-ja dhe SHBA-ja është e shqetësuar për situatën e tensionuar që po vazhdon të mbizotërojë në veri të Kosovës. Ne i bëjmë thirrje të gjithëve për përmbajtje maksimale, të mos marrin masa të menjëhershme dhe të pakusht për të ulur tensionet, dhe të frenohen nga provokimet, kërcënimet e frikësimet. Ne po punojmë me presidentin Vuçiq dhe kryeministrin Kurti për të gjetur një zgjidhje politike në mënyrë që të ulen tensionet dhe të arrihet pajtim për një rrugë para në interes të stabilitetit, sigurisë dhe mirëqenies të gjitha komuniteteve lokale”, thuhet në deklaratën e përbashkët.
SHBA-ja dhe BE-ja thanë mirëpresin garancitë e lidershipit të Kosovës që konfirmuan se nuk ka lista për arrestimin e qytetarëve serbë ose përndjekjen e atyre që protestojnë paqësisht apo për vendosjen e barrikadave.
SHBA-ja është thënë se do ta përkrahë punën e BE-së nëpërmjet Misionit të EULEX-it në Kosovë.
“Në të njëjtën kohë sundimi i ligjit duhet të respektohet, dhe çdo formë e dhunës është e papranueshme e nuk do të tolerohet. EULEX-i, në përputhje me mandatin, do të vazhdojë të monitorojë nga afër gjitha hetimet dhe procedurat pasuese për ta promovuar respektimin e të drejtave të njeriut. Kjo përfshirë, në veçanti, garantimin e një gjykimi të drejtë, si dhe mbrojtjen e trajtimin e barabartë për anëtarët e komuniteteve joshumicë në Kosovë”, thuhet në deklaratën e përbashkët.
Të dyja kanë thënë se presin nga Kosova dhe Serbia të kthehen në bisedime për të nxitur një “mjedis të favorshëm për pajtimin, stabilitetin rajonal dhe bashkëpunimin për të mirën e qytetarëve”.