Një aksion i Policisë i zhvilluar pas mesnate në Zhur të Prizrenit rezultoi me zbulimin e një lokacioni ku dyshohet se organizoheshin lojëra të fatit. Gazeta Sinjali sot raportoi se katër persona ranë në prangat e Policisë, nën dyshimet se kanë organizuar bixhoz të paligjshëm. Në lokalin ku u kapën të dyshuarit janë gjetur prova, që do të shfrytëzohen kundër të dyshuarve.
Burimet e Gazetës Sinjali nga Prokuroria kanë bërë me dije se personat që ranë në prangat e Policisë si të dyshuar për këtë rast janë: Enes Nasufaj, Florjan Badalli, Gëzim Ademaj dhe Xhemil Kurtaj, të cilët tashmë ndodhen në Qendrën e Mbajtjes.
Me rastin e bastisjes në lokal, janë gjetur rreth 2 mijë euro, qipa, letra të pokerit, telefona e pajisje të tjera që janë sekuestruar nga zyrtarët policorë, ndërsa personat e dyshuar janë dërguar në stacion policor, ku janë intervistuar për veprën me të cilën ngarkohen.
Kujtojmë se ka pasur shumë raste kohëve të fundit kur Policia ka zbuluar se në lokale të ndryshme, në disa qytete e fshatra janë organizuar lojëra të tilla.