MPJD për vizitën e patriarkut serb Porfirje në Kosovë: Nuk mund t’i aprovohet kërkesa pa i dënuar veprimet kriminale në veri

Ministria e Punëve të Jashtme ka dalë me sqarim në lidhje me vizitën e Patriarkut të Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije, në Republikën e Kosovës.

Sipas MPJD-së edhe pasi iu kishte aprovuar leja, më vonë kjo ministri e kishte konsideruar që vetëm pas distancimit dhe dënimit të veprimeve të grupeve kriminale në veri të Kosovës, mund të aprovohet qëndrimi i Porferijes në territorin e Kosovës.

“Pas shqyrtimit të kërkesës, MPJD është përgjigjur se vizita e Porfirjes, do të mund të aprovohet vetëm pasi Kisha Ortodokse Serbe të ketë dënuar, respektivisht të jetë distancuar nga veprimet e pjesëtarëve të KOS-it, të cilët, duke hyrë ilegalisht në Republikën e Kosovës, janë duke i dhënë përkrahje të hapur grupeve kriminale në veri të Republikës së Kosovës, të cilat janë përgjegjëse për barrikadat e vendosura atje”, thuhet në sqarimin e MPJD-së.

Sqarimi i plotë nga MPJD-ja:

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës njofton se ditën e premte (23 dhjetor), përmes kanaleve zyrtare, ka pranuar kërkesën për lejimin e vizitës treditore (26-28 dhjetor 2022) të Patriarkut të Kishës Ortodokse Serbe (KOS), Porfirje në Republikën e Kosovës.

Pas shqyrtimit të kërkesës, MPJD është përgjigjur se vizita e Porfirjes, do të mund të aprovohet vetëm pasi  Kisha Ortodokse Serbe të ketë dënuar, respektivisht të jetë distancuar nga veprimet e pjesëtarëve të KOS-it, të cilët, duke hyrë ilegalisht në Republikën e Kosovës, janë duke i dhënë përkrahje të hapur grupeve kriminale në veri të Republikës së Kosovës, të cilat janë përgjegjëse për barrikadat e vendosura atje.

Pra, kërkesa për vizitë e Patriarkut Porfirije nuk është refuzuar, siç po propagandohet nga Kisha Ortodokse Serbe dhe mediat serbe, por është ndërlidhur me distancimin nga aktet e dhunës dhe veprimet e lartpërmendura.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *