Shtëpia e Bardhë tha të enjten se grupi “Wagner”, një kompani private ushtarake ruse, ka marrë një dërgesë armësh nga Koreja e Veriut për të ndihmuar forcat e saj që luftojnë krah për krah me trupat ruse në Ukrainë.
Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, tha se zyrtarët e inteligjencës amerikane përcaktuan se Koreja e Veriut përfundoi një dërgesë fillestare të armëve që përfshinte raketa, muajin e kaluar.
“Ne vlerësojmë se sasia e materialit të dorëzuar tek Wagner nuk do të ndryshojë dinamikën e fushëbetejës në Ukrainë. Por ne sigurisht jemi të shqetësuar që Koreja e Veriut po planifikon të dërgojë më shumë pajisje ushtarake”, tha Kirby.
Të premten, Koreja e Veriut mohoi kategorikisht se kishte dërguar municione në Rusi, duke e quajtur akuzën e SHBA-së për dërgesën e armëve në Rusi “teori e pabazë” e përgatitur nga “disa forca të pandershme”.
Shtëpia e Bardhë ka alarmuar për përfshirjen në rritje të Wagner-it në luftë, pasi ata kanë qenë veçanërisht aktivë në rajonin lindor të Donbasit.
Kirby tha se në disa raste zyrtarët ushtarakë rusë madje kanë qenë “në varësi të komandës së Wagner”.
Zyrtarët e administratës Biden thanë se me shitjet e armëve për grupin ushtarak privat, Koreja e Veriut po shkel sanksionet e OKB-së që ndalojnë Phenianin të importojë ose eksportojë armë.
Ambasadorja Linda Thomas-Greenfield, e dërguara e SHBA-së në Kombet e Bashkuara, e quajti “të neveritshme” që Rusia, një anëtare e përhershme me tw drejtw vetoje të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila vendosi sanksionet, tani po përdor armë të blera nga Koreja e Veriut dhe Irani ” për të vazhduar luftën e saj kundër Ukrainës”.