Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka reaguar për rastin e foshnjes së vdekur që u fut në rrobalarëse në Spitalin e Pejës.
“Sot bëhen 75 ditë që Kosova nuk ka Ministër të Shëndetësisë; të tretin në më pak se dy vite qeverisje. Plot 75 ditë për të caktuar një përgjegjës – një njeri të vetëm – në krye të sektorit më të rëndësishëm të shoqërisë kosovare”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.
Ai ka thënë se në vend se të flitet për spitale të reja, paga më të larta e më shumë pajisje e barna, qytetarët janë në pritje të një ministri pas 75 ditëve.
“As kaq pak s’mund të bëjnë! As kaq pak s’mund t’i japin shëndetësisë. Ndërsa, do të duhej të flisnim për spitale të reja, pajisje e barna më shumë, paga më të larta, shërbime më të denja e sigurime shëndetësore për qytetarë që shpenzojnë qindra miliona euro jashtë vendit – ne jemi në pritje të një ministri pas 75 ditëve. Dhe as kaq pak s’mund të bëjnë; as edhe një ministër ta caktojnë”.
“Qeveri e paaftë. Qeveri e papërgjegjshme. Skandalet në spitalet tona kanë adresë!”, ka shkruar tutje Abdixhiku.
Ndryshe, një rast i rëndë ka ndodhur gjatë javës së kaluar në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës, kur një foshnje e lindur pa shenja jete dyshohet se është futur në rrobalarëse e mbështjellë me çarçafë nga personeli mjekësor.
Kryeprokurori i kësaj Prokurorie, Agim Kurmehaj ka thënë se kanë nisur hetimet lidhur me këtë rast.