Hovenieri takohet me Kurtin: Takimi ishte i shkurtër, u diskutua për shumë tema

Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kanë zhvilluar sot pasdite një takim në ndërtesën e Qeverisë.

Për këtë takim detaje të pakta kanë dhënë për Telegrafin nga Qeveria e Kosovës.

Zëdhënësja e Qeverisë, Rozafa Kelmendi tha se takimi ishte i shkurtër, dhe se në të u diskutua për shumë tema.

“Takimi i sotëm i Kryeministrit Kurti me Ambasadorin Hovernier ka qenë një takim i shkurtër. Kanë biseduar për shumë tema dhe pastaj kryeministri ka shkuar për vizitë në KEK”, ka thënë Kelmendi.

Ajo shtoi se me vendet e QUINT-it, e posaçërisht me Ambasadorin amerikan, sikurse edhe atë evropian, kryeministri zhvillon shpesh takime.

Ambasadori Hovenier u pa duke hyrë në ndërtesën e Qeverisë diku rreth orës 14:00.

Duhet theksuar se që nga fillimi i dhjetorit, në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe janë regjistruar disa incidente me armë zjarri, granata dore dhe shok bomba.

Më 10 dhjetor, disa serbë lokalë ngritën barrikada në rrugët që çojnë drejt pikë kalimeve kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, Jarinjë dhe Bërnjak.

Ngritja e barrikadave u bë në shenjë pakënaqësie me arrestimin e ish-policit të Kosovës, Dejan Pantiq i cili sipas autoriteteve në Kosovë, dyshohet se ka organizuar “sulmin terrorist” të 6 dhjetorit ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të shtetit.

Së fundi, SHBA-ja dhe Britania e Madhe kanë kërkuar heqjen e barrikadave në veri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *