Në mesin e 9 zyrtarëve policorë, të cilët sonte u larguan prej pikave kufitare nga ana e KFOR-it, janë edhe tri gra police, të cilat kanë fëmijë të vegjël në shtëpi. Kështu ka konfirmuar për Insajderin kryetari i Sindikatës së Policëve, Imer Zeqiri.
Zeqiri theksoi se bëhet fjalë edhe për policë të moshuar e të prekur nga sëmundje kronike.
Policët janë tërhequr sonte me asistim të KFOR-it. Këta policë kanë qenë më sëmundje kronike, jo policë që janë sëmurë aty apo prekur nga ndonjë sëmundje tjetër. Prej tyre janë 6 meshkuj, 3 femra, nëna që kanë fëmijë të vogël por kryesisht policët që janë tërhequr kanë qenë me sëmundje, me terapi dhe më të moshuar. Kjo ka qenë arsye pse ka kërkuar menaxhmenti që të tërhiqet stafi që të mos rrezikohet më shumë shëndeti i tyre”, ka thënë Zeka.
Kreu i Sindikatës ka theksuar se gjendja aktuale, pa ndërrime është duke u rënduar.
“Atje duhet patjetër me u bë ndërrimi, por kalohet 11 ditëshi po bëhet dita e 12 që nuk është bë ndërrimi i rregullte i policës dhe vërtetë në ambiente të tilla, bile edhe në ambiente më luksoze me qenë 12 ditë pa ndërprerë ditën e natën, është shqetësim i madh ne. Jemi duke bërë përpjekje për përmirësim të situatës”, potencoi ai.
I pyetur nëse të njëjtëve iu kanë munguar barnat, Zeka tha se “Ata janë kthyer në shtëpitë e tyre, nuk janë të shtruar në spital por për shkak se janë me sëmundje kronike dhe duke përdorë terapi është vendosur kështu. Terapia iu është dërguar dmth nuk iu ka munguar, të jemi të qartë këtu”.
Ka qenë KFOR-i që ka konfirmuar për transportimin e 9 policëve nga Veriu.
“KFOR-i është në kontakt të ngushtë me PK-në dhe për t’i përkrahur ata kemi transportuar me tokë 9 policë të cilët janë ndjerë të sëmurë”, ka thënë KFOR-i në një përgjigje për Kanal10.
Sindikata e Policisë i ka bërë thirrje urgjente Presidencës, Qeverisë, KFOR-it, EULEX-it dhe ambasadave të QUINT-it që të bashkërendojnë veprimet dhe “menjëherë të krijohen kushtet për lëvizje të lirë dhe zyrtarëve policorë t’ju bëhet ndërrimi”.
Nesër shënohet dita e 12 e barrikadave në veri të Kosovës. Deri më tani, dihet se afër 100 pjesëtarë të Policisë së Kosovës kanë mbetur të bllokuar në Jarinje e Bërnjak./GazetaInsajderi