Shqipëria blen dronë ‘Bayraktar’ nga Turqia

Shqipëria ka firmosur marrëveshjen për blerjen e flotës së dronëve Bayraktar nga Turqia.

Lajmi është bërë me dije nga kryeministri Edi Rama i cili në një deklaratë për mediat tha se dronët e blerë nga Turqia janë ‘teknologjia më e lartë e fluturimeve për misione ushtarake, policore dhe civile, në funksion të sigurisë kombëtare, të luftës kundër krimit e kultivimit të paligjshëm të hashashit, të emergjencave civile, mbrojtjes së territorit dhe mbledhjes së informacioneve gjeohapësinore’.

Rama tha se kjo marrëveshje është arritur falë partneritetit strategjik mes Turqisë dhe Shqipërisë, ndërsa tha se këta dronë janë të një niveli të lartë teknologjie.

“Me këtë marrëveshje nuk po sjellim këtu në Shqipëri teknologjinë më të mirë në këtë fushë, por kështu do sjellim në Shqipëri një fushë të re njohurish. Është shumë mirë që marrëveshja nuk është vetëm për të blerë dronët por ka të bëjë edhe me ndërtimin e një ure mes FA tona dhe kompanisë ‘Bajraktar’ që do kujdeset për trajnimin e njerëzve. Më shumë se 30 persona që do përzgjidhen me shumë kujdes me ndihmën e kompanisë ‘Bajraktar’ dhe do përgatiten për të marrë funksionin e qendrës së kontrollit që do jetë objekt i teknologjisë më të lartë në bazën ajrore të Kuçovës”, tha Rama.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *