Feston ditëlindjen, Çun Lajçi letër rrëqethëse të birit: Me dorën time të çova në burg, asht djali im e jo krimineli serb

Aktori Çun Lajçi teksa sot feston 77-vjetorin e lindjes, i ka dërguar një letër djalit të tij që ndodhet pas hekurave.

Arrestimi i djalit të tij erdhi 3 ditë më parë pas denoncimit të aktorit, i cili tha se ngjarja mori jehonë mbrapsht pasi efektivët raportuan për dhunë në familje.

Biri im

Kur lindi motra jote, zemra ime u dalldis e gjithçka që pata kaloi n’anën e saj. Jeta ime s’ishte e imja ma! Por ti s’vonove e çele si kërmyll e jeta ime u nda n’dysh. N’dy pjesë zemra. N’dy pjesë puna. N’dy pjesë jeta! Gjithçka e imja u baj e jueja. Por ah! Ajo, siç erdhi e para e para iku n’amshim dhe pjesa e saj u ba e jotja! Vazhduem ashtu siç ditem e mujtem me jetua me dhimbjën që na e vari në tre gjoksa!

Tani me ket dhimbje po të shkruej në vitin tim të 77-të, n’ditëlindjen e vetmueme dhe tepër larg teje. Po t’shkruej se u zgjova tue folë me ty n’gjumë: Po shkojmë n’Rugovë m’the dhe unë t’përqafova!

Ah! Ky nga dhoma e vetmisë më përkujtoi ndaj u ula me shkrua!

Ty ndofta nuk t’kujtohet, se kishe pi ma shumë seç duhej e nga droja se po të ndodhë e keqja u nguta me thirrë policinë! Mu duk rruga ma e shkurt dhe ma e leht me t’vu nën kontroll, nga që alkoholi t’kishte mbërthye n’kthetrat e veta!

M’përgjasove n’Bekimin e “Mbledhësit të puplave” kur e theve gotën e dorën e përgjake. Nxitova ta thërras policinë e gabova! Me dorën time të çova n’burg, jo pse ti po ushtroje dhunë ndaj nanës e babës, jo pse ti po e therje vetvetën (siç raportuan mediat), por prej dashnisë dhe dëshirës me t’pasë të shëndoshë e jetëgjatë pranë vetës. Qëllimi ishte i thjeshtë: Po e dërgoj n’polici që ta ruejnë n’burg për nji natë deri sa t’i kaloi pia dhe t’ia lidhin plagën. Kaq! Por thirrja doli e gabueme. Mori jehonë kur mbrapsht raportoj policia: Dhunë familjare. Djali i filanit e theri vetvetën! Turp që s’kapërdihet!

Nji muej paraburgim për djalin e Çunit, dhe nji muej paraburgim për kriminelin polic serb, që u arrestua n’veri!

E shihni si barazohemi e barazpeshohemi? Unë e ftoj policinë me shpetua djalin tim nga alkoholi i nji nate (ngaqe unë s’kisha forcë) e djali përfundon n’paraburgim nji mujor!

Edhe pse larg teje, mua n’gjumë m’erdhi urimi yt për 77-vitet e mia dhe me zgjove nga gjumi me sytë e përlotun!

Tani prokuorinë m’duhet ta bind se ai asht djali im e jo krimineli serb

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *