Lista Serbe ka reaguar ashpër pas deklarimeve të sotme nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili tha se institucionet e Republikës së Kosovës i kanë të gjitha kapacitetet për t’i larguar barrikadat e vendosura në veri dhe se në koordinim me partnerët ndërkombëtarë janë duke vlerësuar situatën për reagim adekuat.
Sveçla gjithashtu bëri të ditur se mbrëmë e ka kaluar darkën së bashku me zyrtarët policorë në Bërnjak, në veri të vendit.
Vizitën e Sveçlës në veri Lista Serbe e ka cilësuar si “provokim të radhës nga Albin Kurti dhe vartësit e tij me qëllim të përshkallëzimit të situatës në terren”.
“Ai e di shumë mirë se nuk ka ardhur në komunat serbe në veri të Kosovës dhe as s’ka çfarë të kërkojë në rajonet tona. Theksojmë se populli serb është i përkushtuar për paqen në këto zona dhe deklaratat e Sveçlës se është i gatshëm të vazhdojë të përdorë dhunën dhe të heqë barrikadat me dhunë janë në favor të përkeqësimit të mëtejshëm të situatës”, kanë thënë nga kjo parti.
Sipas gazetës “Blic”, Lista Serbe ka kërcënuar se institucionet e Kosovës se “do të marrin përgjigjen e popullit serb” nëse tentojnë t’i heqin barrikadat.
“Ne do të bëjmë gjithçka që ta ruajmë paqen dhe popullin tonë nga sulmet e Prishtinës, por nëse njësitë e Kurtit tentojnë të përdorin dhunën për të hequr barrikadat, do të marrin përgjigjen e popullit serb që e meritojnë”, thuhet në reagimin e tyre.
Ndryshe, situata në veri të Kosovës vazhdon të jetë e tensionuar pasi për të tetën ditë disa rrugë ende janë të bllokuara nga bandat kriminale serbe të cilat qarkullojnë atje, ndërsa sot policia njoftoi se është vendosur edhe një barrikadë tjetër në Zveçan.
Dy ditë më parë ishin ngritur dhe dy të tjera në fshatin Jegenicë dhe Zupç në Komunë të Zubin Potokut.