Mehaj: Çdo sukses i Ministrisë së Mbrojtjes i atribuohet shteteve partnere

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka njoftuar se të premten mbrëma ka organizuar një takim të veçantë me ambasadorë, atashe të mbrojtjes, me qëllim të falënderimit për kontributin në Ushtrinë e Kosovës.

Një gjë të tillë Mehaj e ka bërë të ditur nëpërmjet një postimi në ‘Facebook’, teksa ka shtuar se çdo arritje e ministrisë që përfaqëson i takon edhe akterëve ndërkombëtarë.

“Pak ditë na ndajnë nga përfundimi i këtij viti, dhe padyshim në çdo sukses të Ministrisë së Mbrojtjes meritor janë edhe përfaqësuesit e shteteve partnere të cilët kanë kontribuar në çdo hap të zhvillimit dhe avancimit të Ministrisë dhe Ushtrisë së Republikës së Kosovës”, ka shkruar Mehaj.

“Andaj, në shenjë falenderimi dhe mirënjohje krahas punonjësve të ministrisë, mbrëmë prita në një organizim të veçantë, ambasadorë, atashe të mbrojtjes, oficerë të NALT-it, ish-ministra e ish-komandant e deputetë, me të cilët ndajmë vlera dhe një vizion të përbashkët për të kontribuar në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit të vendit por edhe më gjerë, duke realizuar synimin tonë për anëtarësim në NATO, rrugëtimin drejt së cilës e shohim të lidhur pashkëputshëm me miqtë tanë”, vijon postimi i tij.

“Qofshin gjithmonë përpjekjet tona konstruktive të orientuara drejt mbledhjes së forcave të njerëzimit për të kultivuar atmosferë mirëkuptimi dhe bashkëpunimi të ngushtë ndërmjet kombeve, në mbështetje të vlerave demokratike dhe të paqes kudo dhe kurdoherë”, përfundon postimi i ministrit të Mbrojtjes.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *