dicioni më i njohur i futbollit, kampionati botëror që këtë vit si asnjëherë më parë u zhvillua në stinën e dimrit në Katar, po i vjen fundi.
Argjentinë-Francë kjo do të jetë finalja e madhe e cila pritet të zhvillohet në stadiumin Lusail të Doha-s me kapacitet prej 80 mijë ulëseve gjatë ditës së nesërme.
Rrugëtimi i dy skuadrave deri në finale
Fillimi i kampionatit botëror për Argjentinën nuk filloi sipas parashikimeve të tyre. Ata që në ndeshjen e parë në kuadër të grupit C pësuan disfatë nga Arabia Saudite me rezultat 1:2, ku më pas rimorën veten dhe regjistruan dy fitore radhazi kundër Meksikës dhe Polonisë me rezultat identik, 2:0, kështu duke siguruar kualifikimin në 1/16 si e para në grup.
Pas fitores në 1/16 e finales ndaj Australisë me rezultat 2:1, Argjentina në 1/8 e finales i mati forcat me Holandën në një ndeshje tejet të vështirë ku pas 90 minutave të rregullta rezultati u mbyll 2:2, me ç’rast ndeshja kaloi në vazhdime pa gola, ndërsa Argjentina si fitues doli në penallti.
Në rrugën drejt finales, barriera e fundit për gauqosët në gjysmëfinale ishte Kroacia, që befasisht ndonëse parashihej si ndeshje e vështirë, Argjentina e mposhti Kroacinë me rezultat 3:0.
Nga ana tjetër, Franca në fazën e grupeve arriti të dalë e para me dy fitore ndaj Australisë 4:1 dhe Danimarkës 2:1, dhe një humbje me pak vlerë ndaj Tunizisë 0:1.
Në 1/16 e finales Franca e mposhti Poloninë me rezultat 3:1, ndërsa në 1/8 e finales në një ndeshje derbi dhe plot emocione futbolli kundër Anglisë, Franca doli fituese me rezultat 2:1.
Stacioni i fundit në rrugën drejt finales për Francën ishte surpriza më e këndshme e kampionatit botëror, Maroku, por që në fund francezët nuk lejuan befasinë e radhës, dhe fituan ndeshjen me rezultat 2:0.
Kush i pari deri te trofeu i 3-të?
Franca dhe Argjentina do të luftojnë për trofeun prestigjioz.
Do të jetë një mundësi për të dyja skuadrat që të arrijnë të shpallen kampion botëror për herën e tretë në historinë e tyre. Amerikano-jugorët u gëzuan në 1978 dhe 1986, dhe francezët ishin më të mirët në shtëpi në vitin 1998 dhe njëzet vjet më pas në Rusi në vitin 2018.
Brazili mbetet rekorderi me pesë tituj, i ndjekur nga Italia dhe Gjermania me nga katër trofe secila prej tyre.
Episodi i njëmbëdhjetë, Evropa kundër Amerikës së Jugut
Kjo është hera e njëmbëdhjetë që një kombëtare evropiane dhe e Amerikës së Jugut do të luajë në ndeshjen finale të një grumbullimi botëror. Shtatë fitore u arritën nga skuadrat e Amerikës së Jugut, ndërsa tri ndeshjet e mbetura u përkisnin kombëtareve të kontinentit të vjetër.
Gjermania e fitoi përballjen e fundit tetë vjet më parë pikërisht kundër Argjentinës. Më parë, Brazili ka shënuar një fitore ndaj gjermanëve dhe një humbje ndaj Francës në dy edicionet e mëparshme.
Messi-Mbappe për këpucën e artë
Ndeshja ndërmjet Argjentinës dhe Francës nuk është vetëm ndeshje ndërmjet dy kombëtareve, por edhe një ballafaqim i dy bashkëlojtarëve të klubit të PSG-së, Lionel Messi dhe Kylian Mbappe.
Nga fituesi i kësaj finale me shumë gjasë do të varet edhe fituesi i këpucës së artë, ose futbollistit më të mirë të vitit, pikërisht ndërmjet dy shokëve të së njëjtës skuadër.
Dilema ndërmjet Messit dhe Maradonës
Një pyetje e shpeshtë përgjigjja e së cilës ka mbetur enigmë, paraqet fakti nëse Lionel Messi apo bashkëkombasi i tij, tashmë i ndjeri Diego Armando Maradona është futbollisti më i mirë i të gjitha kohërave.
Pavarësisht suksesit të Lionel Messit në aspektin personal, dhjetëra trofe ndërkombëtarë të klubeve dhe shpalljen rekorde shtatë herë më i miri i botës, assesi ai të dalë nga hija e Maradonës në ndërkohë që nuk është shpallur kampion bote me Argjentinën.
A thua vallë shpallja kampione e Argjentinës kundër Francës në finalen e nesërme do të zgjidhë përfundimisht dilemën se Messi me të drejtë mund të quhet futbollisti më i mirë në histori.
Referi polak: Ndeshje pa kartona të kuq
FIFA ka zbuluar se arbitri polak Szymon Marcheniak do të jetë në qendër të skenës në finalen e Kupës së Botës.
Polaku dihet se pëlqen një lojë solide. Ai nuk ka treguar karton të kuq gjatë gjithë sezonit aktual dhe konsiderohet si një nga arbitrat me më shumë eksperiencë në ndeshjet e Botërorit.
Maroku me Kroacinë, dy herë brenda një kampionati
Dy gjysmëfinalistët e mposhtur në Kupën e Botës “Katar 2022”, Kroacia dhe Maroku, sot do të përballen për vendin e tretë.
Ndeshja do të zhvillohet në stadiumin “Khalifa” në orën 16:00.
Arbitri i ndeshjes do të jetë Abdulrahman Al Jassim nga Katari.
Kroacia dhe Maroku në Kupën e Botës morën pjesë në të njëjtin grup.
Të dy ekipet u përballën në ndeshjen e parë të Grupit F, e cila përfundoi me barazim pa gola.