Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, priti sot në takim ministrin për Evropë të Mbretërisë së Bashkuar, Leo Docherty, i cili po qëndron në Kosovë në një vizitë zyrtare.
Ministri Docherty shprehu interesimin e tij rreth situatës në lidhje me sektorin e energjisë, si dhe perspektivën e Kosovës në kuadër të zhvillimit ekonomik.
Zëvendëskryeministri Bislimi e informoi ministrin Docherty mbi situatën e krijuar në Kosovë nga kriza energjetike që ka kapluar Evropën, si pasojë e efekteve të shkaktuara nga agresioni rus ndaj Ukrainës. Qeveria po merr masa të menjëhershme si afatmesme e afatgjata për të lehtësuar efektet e kësaj krize dhe impaktit drejt qytetarëve. Rehabilitimi i termocentraleve, të cilat aktualisht janë në gjendje të dëmtuar, si dhe shtimi i kapaciteteve në energji të ripërtëritshme, për të krijuar qëndrueshmëri në të ardhmen në këtë sektor, janë vetëm disa nga hapat e ndërmarra.