Aktakuzë kundër vëllait të Butës, Qëndrim Januzi – përshkruhet edhe motivi i vrasjes

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit Qëndrim Januzi i cili gjendet në paraburgim që nga muaji maj i këtij viti, për shkak të veprës penale “Vrasje e rëndë”.

Sipas prokurorisë, Qëndrim Januzi, vëllai i reperit Buta, ka privuar nga jeta Gazmend Hysenin ndaj të cilit ka pretenduar se i njëjti ia ka djegur një veturë vëllait të tij.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, “me datë 28 Maj 2022, rreth orës 00:53, në Ferizaj, në rrugën “Rexhep Bislimi”, përkatësisht para hyrjes së marketit “Euro Market”, i pandehuri me dashje dhe përgatitje paraprake ka privuar nga jeta tani të ndjerin G.H, në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshje të mëhershme lidhur me një veturë të vëllait të tij për të cilën​ i pandehuri ka pretenduar se i është djegur nga ana e tani të ndjerit, me ç’rast me të takuar të ndjerin, ka shtënë gjashtë (6) herë në drejtim të tij me armë zjarri, të tipit “SAUER model 38 H” e kalibrit 7.65mm dhe si pasojë e të shtënave nga plagët e marra i ndjeri ndërron jetë ashtu siç është konstatuar në raportin e autopsisë, me të cilin konstatohet shkaku i vdekjes, e cila ka ardhur si pasojë e plagëve të marra nga predhat e armës së zjarrit, me të cilën ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.5 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Po ashtu, sipas aktakuzës, i pandehuri Q.J., nga koha e pa përcaktuar e deri me datën 28.05.2022, në Ferizaj, pa autorizim dhe në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët në Kosovë, ka poseduar armën e markës “SAUER model 38H” e kalibrit 7,65 x 17mm, me një karikator me kapacitet prej (8) tetë fishekëve të kalibrit 7.65x17mm, me të cilën armë kishte kryer veprën penale të përshkruar si në dispozitivin e I të kësaj aktakuze, ku e njëjta sekuestrohet, me të cilën ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së”, thuhet në njoftim.

Prokuroria Themelore në Ferizaj, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës kompetente në Ferizaj, që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartëcekur të shpallet fajtorë dhe të dënohet sipas ligjit për veprën penale për të cilën akuzohet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *