Osmani pas takimit me Escobar: Të hiqen barikadat e vendosura nga bandat që i dirigjon Vuçiq

Presidenca ka njoftuar se çka bisedoi Presidentja Vjosa Osmani me emisarin special amerikan, sot gjatë takimit në zyrën e saj.

Presidentja Vjosa Osmani pati sot në takim të dërguarin e posaçëm  të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

“Presidentja Osmani shprehi falënderimin për mesazhin e qartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të shprehur dje, lidhur me zhvillimet e fundit në veri të vendit dhe kërkesën për heqjen e menjëhershme të barrikadave e ndalimin e kërcënimeve dhe frikësimit të qytetarëve lokal, si dhe sulmeve ndaj Policisë së Kosovës, zyrtarëve të komisionit zgjedhor dhe misionit të EULEX në Kosovë”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Presidenca, pas takimit.

Presidentja Osmani, sipas zyrës së saj, ka folur për nevojën urgjente të heqjes së barrikadave në veri të vendit “të vendosura nga strukturat ilegale të organizuara në banda kriminale dhe të dirigjuara nga Vuçiqi”.

Në njoftim thuhet se Presidentja ka fajësuar Serbinë se po e minon dialogun për njohje të ndërsjelltë.

“Në takim me emisarin Escobar, Presidentja Osmani ka potencuar se Kosova vazhdon të jetë palë konstruktive në procesin e dialogut, dhe se veprimet e Serbisë janë tentim për të minuar dialogun për njohje të ndërsjellë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *