EULEX flet për situatë në veri: Do ta bëjmë atë që është e nevojshme për të mbështetur stabilitetin e Kosovës

“EULEX-i do të bëjë atë që është e nevojshme dhe çfarë duhet për të mbështetur stabilitetin e Kosovës, brenda kufijve të mandatit të tij”, thuhet në përgjigjen e EULEX-it

“EULEX-i është duke i kryer detyrat e tij në përputhje me mandatin e tij. Misioni po monitoron nga afër të gjitha zhvillimet që mund të ndikojnë në sigurinë e Kosovës, si dhe në sigurinë e të gjitha komuniteteve në Kosovë. EULEX-i do të bëjë atë që është e nevojshme dhe çfarë duhet për të mbështetur stabilitetin e Kosovës, brenda kufijve të mandatit të tij”.

Kështu thuhet në një përgjigje për RTV Dukagjini, nga EULEX-i.

EULEX nuk ka komentuar deklaratën e kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq, e cila kishte thënë se kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i solli serbët dhe shqiptarët “në skaj të luftës”.

Bërnabiq kishte theksuar se për shkak të kësaj, Beogradi është afër një vendimi për të kërkuar kthimin e trupave të tij në Kosovë, në përputhje me me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Megjithatë, EULEX thotë se po kontribuon në sigurinë e të gjitha komuniteteve në Kosovë.

“Kjo tregohet në praktikë përmes pranisë sonë të shtuar në terren. Njësia e Formuar Policore e EULEX-it e përbërë nga 105 policë polakë dhe njësia policore e formuar rezervë e përbërë nga 24 xhandarë italianë dhe pesë lituania po kryejnë patrulla ditore të zbulimit, duke përfshirë patrullimet në këmbë në Mitrovicën Veriore dhe Zveçan”, thuhet në përgjigjen e EULEX-it.

Ndryshe, Bërnabiq kishte potencuar se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë ditës, do të prezantojë detaje rreth kësaj, përcjellin mediumet serbe, N1 dhe Danas.

Ajo ka vlerësuar se gjithçka që bën Kurti është rrezik për serbët dhe shqiptarët, por edhe për Evropën.

“Është politika e shekujve 18 dhe 19. Jam jashtëzakonisht e shqetësuar dhe ishte e vështirë të flija natën e kaluar”, tha ajo.

Bërnabiq ka vlerësuar se Kurti nuk po bën asgjë i vetëm, por se ka pasur edhe “ndihmën e partnerëve në BE, që nuk po përgjigjen”.

“Në BE, ata nuk reagojnë ndaj asaj që po ndodh, ose reagojnë kur janë në zjarr. KFOR-i dhe EULEX-i nuk po e bëjnë punën e tyre, jo vetëm në përputhje me Brukselin, por edhe me marrëveshjen e Cumanit. Ata nuk i mbrojnë serbët në Kosovë, as në jug e as në veri të lumit Ibër”, tha kryeministrja Ana Brnabiq.

Krahas saj, edhe Shefi i Zyrës së ashtuquajturës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se Serbia “do të shqyrtojë dërgimin e 1.000 forcave të saj të sigurisë në Kosovë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *