Bislimi: Kosova është gati për të aplikuar për anëtarësim në BE

Zëvendëskryeministri Besnik Bislmi, sot deklaroi se vizita tri ditore e zhvilluar në Bruksel, pati për qëllim informimin dhe koordinimin me institucionet kryesore të Bashkimit Evropian, në lidhje me aplikimin për anëtarësim në BE.

Bislimi, përveç që tregoi se ka zhvilluar takime në Parlament, Këshill e Komision Evropian, veçanërisht me Komisionerin për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi, potencoi se Kosova është gati për të aplikuar për anëtarësim në BE.

Pas aplikimit për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe hapave përpara drejt liberalizimit të vizave, sipas Bislimit, elementi përbërës kryesor për ta përmbyllur këtë vit të suksseshëm është aplikimi për anëtarësim në BE.

“Kosova ka shprehur përkushtimin e plotë ndaj vlerave e standarteve evropiane. Raporti për vendin 2022, riafirmoi progresin e fuqishëm të Kosovës në sundim të ligjit, demokratizim, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, politikat sociale e zhvillimit ekonomik mes shumë të tjerash. Kosova është tashmë në një trajektore të re të zhvillimit. Ky është një hap i natyrshëm dhe jemi gati për aplikimin për anëtarësim dhe kalimin mëtej në fazat e ardhshme, me përkushtimin e plotë në rrugën e gjatë përpara dhe në proceset e integrimit evropian.”, shkroi Bislimi.

Ai shtoi se aplikimi për anëtarësim në BE, është shenjë e përkushtimit maksimal të Kosovës ndaj Bashkimit Evropian, të ndërthurur me mbështetjen e vazhdueshme të institucioneve të BE-së ndaj rrugëtimit e procesit të integrimit evropian të vendit.

“Vendi ynë, ka përafruar politikën e saj të jashtme në linjë me Bashkimin Evropian. Pas aplikimit për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe hapave përpara drejt liberalizimit të vizave, elementi përbërës kryesor për ta përmbyllur këtë vit të suksseshëm është aplikimi për anëtarësim në BE. Ballkani Perëndimor është i rëndësishëm për Bashkimin Evropian, andaj përshpejtimi i integrimit të rajonit, duhet të jetë i bazuar në meritokraci. Emëruesi i përbashkët, që unifikon hapat e shpejtë dhe meritokracinë, është demokracia. Një demokraci aktive dhe vibruese, e Kosova, përfaqëson këtë variabël e vlera të orientimit dhe qëndrimit të saj.”, shkroi Bislimi në Facebook.

Ai shtoi se janë të përkushtuar të tregojnë me të gjitha kapacitetet, vullnetin për të ecur përpara drejt Bashkimit Evropian.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *