Naim Uka ka dhënë dorëheqje nga pozita e zëvendësdrejtorit në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Lajmin për Kosovalive.net, e ka konfirmuar edhe vetë ai, duke thënë se për shkak të respektit të familjes Dehari.
“Po, e konfirmoj se kam dhënë dorëheqje morale dhe të parevokueshme. Arsyeja e vetme është respekti ndaj familjes Dehari”, ka thënë ai për Kosovalive.net
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka denoncuar zhdukjen edhe të disa mostrave të ish-aktivistit të ndjerë të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari.
“Në vendin ku ruhen epruvetat kanë qasje vetëm tre persona. Sipas informacioneve, vetëm tre persona i kanë çelësat ku ruhen mostrat”, kishte deklaruar ministrja Haxhiu në një konferencë të jashtëzakonshme për media.
Ministria e Drejtësisë (MD) kishte njoftuar se janë pezulluar nga puna katër zyrtarë në Institutin e Mjekësisë Ligjoret (IML), pas dyshimit për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit në këtë institut.
Sipas njoftimit të MD-së, pas pranimit të informacionit të zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit, në Institutin e Mjekësisë Ligjore, Komisioni Disiplinor i Institutit për Mjekësi Ligjore/ Ministria e Drejtësisë, mori vendim për pezullim nga puna të katër zyrtarëve.
Të pezulluarit janë: Nardi Sheqergjiu, Toksikolog Mjekoligjor në Institutin për Mjekësi Ligjore;
Flutura Goga, Udhëheqëse e Laboratorit të Toksikologjisë në Institutin për Mjekësi Ligjore;
Anila Lakna, Teknike e Laboratorit të Toksikologjisë në Institutin për Mjekësi Ligjore;
Ilirjana Shala, Kimiste në Institutin për Mjekësi Ligjore.
Lidhur me rastin e zhdukjes së provave në IML, ka pasur edhe reagime nga subjektet opozitare, duke kritikuar Haxhiun.