Në një shkëmbim të profilit të lartë të të burgosurve, ylli amerikan i WNBA-së, Brittney Griner, është liruar në këmbim të një shtetasi rus i cili ishte i burgosur në ShBA, njoftuan nga Rusia.
“Shtetasi rus Viktor Bout u këmbye me basketbollisten (Brittney) Griner në aeroportin e Abu Dhabit dhe u kthye në atdheun e tij”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme.
Nga atje shtuan se Uashingtoni kishte “refuzuar kategorikisht një dialog” për shkëmbimin e Bout, por Rusia “e kishte vazhduar këtë punë”.
Duke iu drejtuar gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, presidenti amerikan Joe Biden tha se Griner “do të kthehet së shpejti në krahët e të dashurve të saj dhe ajo duhet të kishte qenë atje gjatë gjithë kohës”.
“Këta muajt e fundit kanë qenë ferr për Brittany dhe për Cherelle (Griner, gruan e saj) dhe gjithë familjen e saj dhe të gjithë shokët e saj të skuadrës në shtëpi,” tha Bideb.
Po ashru ai theksoi se Griner meriton hapësirë, privatësi dhe kohë me të dashurit e saj për t’u rikuperuar dhe për t’u shëruar nga koha e ndalimit gabimisht.
Më herët ShBA-ja ofroi një marrëveshje shkëmbimi që përfshinte Griner dhe Paul Whelan, i cili është mbajtur në Rusi që nga viti 2018 me akuza për spiunazh, në këmbim të lirimit të Bout. Por, Whelan nuk ishte pjesë e marrëveshjes që ndodhi së fundmi.
Biden tha se ShBA-ja do të vazhdojë të punojë për lirimin e tij, duke thënë: “Ne nuk e kemi harruar Paul Whelan, i cili është arrestuar padrejtësisht në Rusi prej vitesh”.
“Mjerisht, për arsye krejtësisht të paligjshme, Rusia po e trajton rastin e Paulit ndryshe nga ai i Brittneyt. Dhe ndërsa ne nuk kemi arritur ende të sigurojmë lirimin e Paulit, ne nuk po dorëzohemi. Ne nuk do të dorëzohemi kurrë. Ne mbetemi në kontakt të ngushtë me familjen e Paulit, familjen e Whelanit dhe mendimet dhe lutjet e mia janë me ta sot”, deklaroi Biden.
Më herët, Biden shkroi në Twitter se Griner është “e sigurt” dhe po kthehej në shtëpi pasi u mbajt në një koloni penale ruse.