Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Buxhet dhe Financa u konstatua miratimi në parim i Projektligjit që mundëson tërheqjen e një përqindje të mjeteve të Trustit. Por, kryetari i Komisionit Armend Muja tha se në bazë të Rregullores së re të Kuvendit të Kosovës nuk ka kaluar ky projektligj.
Deputeti Muja në mbledhjen e radhës, e cila u mbajt pak orë pas saj për shqyrtimin e buxhetit 2023, tha se nuk ka pasur vota të mjaftueshme për Trustin.
Sipas tij, do të duhej të ishin 5 vota për, jo katër.
Gjatë ditës Komisioni për Buxhet ka shqyrtuar dhe ka konstatuar miratimin e këtij projektligji me 4 vota pro, tri kundër dhe dy abstenime.
Në këtë mbledhje, mori pjesë edhe deputeti nga AAK Besnik Tahiri, i cili është shprehur i zhgënjyer me konstatimin e fundit që nuk kalon Trusti. Ai fillimisht uroi që ka kaluar Trusti, por deputeti Muja i tha se një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
“Urime që kaloi Trusti! O Zoti, pa ju vra mos e lashtë!”, tha me ironi Tahiri.