Gazeta Sinjali mbrëmë raportoi për një aksident të rëndë që ka ndodhur në rrugën ‘Agim Ramadani’ në Prishtinë, ku një veturë ka goditur dy vajza të reja të cilat po kalonin në vendkalimin për këmbësorë. I dyshuari i cili kishte shkaktuar aksidentin, kishte ikur nga vendi i ngjarjes, duke mos u ndalur fare për t’iu dhënë ndihmë e parë dy të rejave. Por ai sot është paraqitur në stacion policor, ku u arrestua.
Sinjali mëson ekskluzivisht se shoferi që dyshohet se shkaktoi aksidentin ku mbetën të lënduara rëndë dy vajza, është Ardit Gashi, 24-vjeçar.
Pas përfundimit të procedurave policore, Gashit i është caktuar masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e dy veprave penale “Rrezikimi i trafikut publik” dhe “Mosdhënia e ndihmës ndaj personit të lënduar në fatkeqësinë e trafikut publik”.
Ndërkohë burimet e Gazetës Sinjali bëjnë të ditur se dy vajzat E.G dhe E.L (emra të njohur për redaksinë) janë të moshës 20-vjeçare dhe që të dyja kanë pranuar tretman mjekësor në QKUK. Njëra nga to për shkak të lëndimeve të rënda po vazhdon trajtimin në Klinikën e Ortopedisë.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.