Në komunën e Zubin Potokut, janë lëshuar sirenat e alarmit këtë të martë nga banorët serbë që jetojnë atje.
Mediumi serb nga Kosova, Kosovo-Online ka raportuar se anëtarët e Komisionit Zgjedhor Komunal kanë hyrë ‘me forcë’ në objektin e komunës së Zubin Potokut të shoqëruar nga zyrtarë të Policisë së Kosovës. Kjo sipas tyre ka bërë që të shpërthejë rebelimi nga disa qytetarë.
Po ashtu, është raportuar për disa shpërthime dhe se prania e pjesëtarëve të EULEX-it është rritur dukshëm.
Institucionet përgjegjëse ende nuk kanë konfirmuar asgjë edhe pse Telegrafi ka provuar të kontaktojë me Policinë dhe KQZ-në.
Ndryshe, zyra e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Mitrovicën e Veriut është sulmuar nga persona të panjohur, mbrëmjen e së hënës së pesë dhjetorit.
Ekipi i RTV Dukagjinit i cili po qëndron në terren, ka raportuar se dritaret e kësaj zyreje janë thyer.
Sipas banorëve të asaj pjese, disa persona janë munduar që t’ia vënë flakën.