Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka konfirmuar se kanë pranuar versionin e ri të planit franko-gjerman për dialogun Kosovë-Serbi.
Gjatë raportimit në Komisionin e Punëve të Jashtme, Bislimi ka thënë se emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, e ka dorëzuar këtë të martë te kryeministri Albin Kurti versionin e fundit të planit.
I pyetur se përse nuk po bëhet publik, kryenegociatori për dialogun ka theksuar se ka një dakordim që ai të mbahet konfidencial.
“Diskutimi për planit franko-gjerman ka qenë tete-a-tete mes ekipit dhe z.Kurti, mes ekipit dhe z.Vuçiq. Dakordimi nuk ka qenë që diskutimi për planin franko-gjerman të jetë i mbyllur, por përmbajtja e tekstit të mbahet konfidenciale”.
“Nuk është dakordimi i tipit si po ia bëjmë. Na është thënë ose e diskutojmë planin me këto kondita ose nuk e diskutojmë dhe ju jeni pala që nuk dëshironi të përfshiheni”, ka thënë Bislimi.