Samiti i BE-së dhe Ballkanit Perëndimor për herë të parë në Tiranë

Bashkimi Evropian zbret për herë të parë në Ballkanin Perëndimor për samitin mes BE-së dhe 6 shteteve të rajonit. Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel dhe komisari për zgjerim Oliver Varhelyi do të vijnë në Tiranë për samitin me 6 vendet potencialisht anëtare të së ardhmes në Union.

Të ftuar janë edhe 27 vendet anëtare, ndërsa do të marrin pjesë edhe krerët më të lartë shtetërorë të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Kosovës, Bosnjë e Hercegovinës dhe Malit të Zi. Të ftuar janë edhe krerët e Serbisë, por presidenti serb Aleksandar Vuçiq e ka vënë në diskutim pjesëmarrjen e tij për shkak të zhvillimeve të fundit politike lidhur me Kosovën.

Siguria në fokus të samitit

Sipas agjendës së publikuar nga Këshilli Evropian, në këtë samit do të vendoset theks i veçantë te siguria në kontinentin evropian, por edhe në vendet e Ballkanit Perëndimor. Në samit do të flitet rreth këtyre temave:

· Trajtimi i përbashkët i pasojave të agresionit rus kundër Ukrainës

· Intensifikimi i angazhimit politik dhe ligjvënës

· Përforcimi i sigurisë dhe ndërtimi i qëndrueshmërisë ndaj ndërhyrjeve të huaja

· Adresimi i sfidave të paraqitura nga migrimi, lufta kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar

Këshilli Evropian sqaron më tej se çështja e luftës në Ukrainë do të trajtohet edhe nga prizmi i pasojave negative ndaj vendeve të Ballkanit, sidomos lidhur me krizën e furnizimit me ushqim dhe energji.

Do të diskutohet gjithashtu për veprime të koordinuara në sferën e sigurisë dhe mbrojtjes, përfshirë sigurinë kibernetike dhe luftimin e dezinformatave dhe manipulimeve të jashtme.

Në fund të Samitit, liderët do të publikojnë një deklaratë të përbashkët rreth konkluzave.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *