Presidentja Osmani priti në takim zyrtaren e lartë të USAID-it, McKee

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim Ndihmësadministratoren e USAID-it, Erin E. McKee.

Presidentja Vjosa Osmani tha se me McKee diskutuan për rezultatet e USAID-it dhe projektet e së ardhmes.

Osmani tha se prania e USAID-it në Kosovë dhe vizita e McKee nuk janë vetëm një shembull i partneritetit të fortë mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) “por edhe tregon faktin se Kosova mbetet një vend me potencial të madh, me rini të talentuar, ekonomi në rritje dhe demokraci të avancuar”.

Sipas presidentes kosovare, USAID më së shumti ka kontribuuar në demokratizimin e institucioneve kosovare, sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut, por edhe në shëndetësi, ekonomi e zhvillim ekonomik.

“USAID ka kontribuar me më shumë se 1 miliardë dollarë në forcimin e institucioneve të Kosovës që nga viti 1999, në demokratizimin e vendit tonë, në ndërtimin e një ekonomie të qëndrueshme e gjithëpërfshirëse e në shumë fusha të tjera, që ndër të tjera kanë përfshirë edhe fushën e krimit dhe korrupsionit”, theksoi Osmani.

Osmani tha se ka kërkuar mbështetje nga USAID për përpjekje në eliminimin e dhunës mbi baza gjinore për të cilën tha se mori premtim.

Ndihmësadministratorja e USAID-it, Erin E. McKee, tha se më shumë se sa dollarët, USAID në Kosovë ka ndërtuar partneritet me këtë vend, i cili do të vazhdojë gjatë dekadave të ardhshme.

McKee shtoi se USAID do t’i ndihmojë Kosovës në rrugën e saj euroatlantike, derisa theksoi se prioritet i tyre mbetet që Kosova të bëhet vend edhe më demokratik dhe i prosperueshëm.

“USAID do të vazhdojë të ndihmojë zhvillimin e një gjyqësori të drejtë dhe të paanshëm në Kosovë, e me ç’rast do të ndikojmë në zvogëlimin e nivelit të korrupsionit dhe forcimin e sundimit të ligjit, gjithashtu synojmë t’u ndihmojnë të rinjve të realizojnë potencialin e tyre, të realizojnë shpirtin e tyre ndërmarrës, të përfshihen, hyjnë në fuqinë punëtore dhe të ndërtojnë të ardhmen që dëshirojnë ta shohin në Kosovë”, theksoi McKee.

McKee do të pritet sot në takim zyrtar edhe nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *