Cristiano Ronaldo ‘bllokoi’ rrugët e Lisbonës kur flota e tij prej 500,000 funte (583 mijë euro) me makina luksoze u dorëzua në një garazh.
Një kamion i madh mori makinën Cadillac Escalade që ka vlerën 150,000 funte (175 mijë euro) të sulmuesit – një dhuratë për ditëlindjen e tij të 37-të nga partnerja e tij, Georgina Rodriguez – dhe Bentley Flying Spur me vlerë prej 300,000 funte (350 mijë euro) nga rezidenca e tij e marrë me qira në Alderley Edge, Cheshire – vetëm disa orë përpara se bosët e Man Utd -it të njoftonin se kishin shkëputur kontratën e tij.
“Shoferi i dërgesës u përpoq t’i shkarkonte ato me sa më pak zhurmë të ishte e mundur, por kamioni bllokoi rrugën dhe kjo krijoi një ngecje të trafikut. Pastaj Escalade dhe Bentley dolën nga pjesa e pasme dhe janë shumë tërheqëse”, tha një person që shikoi nga afër ngjarjen.
“Ata u përpoqën t’i futnin në garazh sa më shpejt që të ishte e mundur, por makinat ende kishin targa britanike, kështu që ishte shumë e lehtë të kuptosh se i përkasin Ronaldos. Ndoshta ai dëshiron t’i kthejë në shtëpi ndërsa planifikon lëvizjen e tij të ardhshme në fushën e futbollit”, tha tutje ai.
United nënshkroi Ronaldon në vitin 2003 si adoleshent pasi Sir Alex Ferguson e pa atë të luante për Sportingun e Lisbonës në një miqësore kundër Djajve të Kuq.
Ai ka qenë i lidhur me një rikthim në Lisbonë pas ndarjes nga United në fillim të këtij muaji pas një interviste bombë me emisionin TalkTV të Piers Morgan, në të cilën ai kritikoi pronarët dhe menaxherin e United, Erik ten Hag.
Një kthim në Lisbonë do të kënaqte nënën e tij Dolores, e cila tha në shtator 2021: “Ronaldo duhet të kthehet në Sporting, ai do të ishte këtu për mua. Atij i pëlqen të shikojë ndeshjet e Sportingut.
“Unë i kam thënë tashmë: ‘Bir, para se të vdes dua të të shoh kthimin në Sporting’. ‘Të shohim…’, tha ai”, ishte shprehur nëna e yllit portugez.
Mediat spanjolle raportuan të mërkurën se superylli portugez ka rënë dakord për një marrëveshje prej 173 milionë funtesh (200m milionë euro) në vit me skuadrën saudite Al Nassr, e cila do të zgjasë deri në moshën 40-vjeçare.
Ronaldo dhe shokët e tij të skuadrës në Portugali janë kualifikuar tashmë në 16-finalet e Kupës së Botës pasi fituan dy ndeshjet e tyre të para në grup.