Haxhiu: Prokurori që përndjekë aktivistët dhe toleron kriminelët e të korruptuarit

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka reaguar sot lidhur me protestën që u mbajt të enjten në Prishtinë, ku u protestua kundër dhunës ndaj grave, ndërkaq në këtë protestë u arrestua aktivistja e shoqërisë civile, Neri Ferizi.

Ministrja Haxhiu sot në një postim në Facebook ka shkruar se aktivistët kanë të drejtat dhe liritë e plota qytetare për të protestuar ndaj çdo institucioni.

“Prokurori që përndjekë aktivistët dhe toleron kriminelët e të korruptuarit. Aktivistët kanë të drejtat dhe liritë e plota qytetare për të protestuar ndaj çdo institucioni”, shkruan Haxhiu.

Pas protestës e cila u mbajt të enjten para objektit të Qeverisë së Kosovës, si shenjë revolte ndaj vrasjes së gruas shtatzënë e cila të mërkurën u qëllua për vdekje në oborrin e QKUK-së, Policia e Kosovës arrestoi aktivisten e shoqërisë civile, Neri Ferizi, me dyshimin se hodhi mjete zjarrvënëse te ndërtesa e Qeverisë.

Motra e saj, Blerta në një prononcim për Telegrafin ka thënë se ndalimin e saj për 48 orë e ka dëgjuar prej portaleve.

Sipas saj, Neri ka protestuar si aktiviste, ndërsa i dyshuari për vrasjen e gruas shtatzënë është ende në liri.

“Ndalimin e saj për 48 orë e kam dëgjuar prej portaleve. Kam diskutuar pak me Nerin dje, por pas protestës më nuk jam dëgjuar. Në fakt Neri ka protestuar si aktiviste e të drejtave të njeriut, ndërkohë në anën tjetër krimineli që i ka marrë dy jetë, jeton në liri, e kjo është shumë e prekshme për mua, pasi kush e njeh Nerin tërë jetën e saj e ka kaluar duke u angazhuar për të drejtat e grave sidomos dhe për të drejtat e njeriut në përgjithësi”, ka thënë ajo.

Marshi i protestuesve nga sheshi “Zahir Pajaziti” e deri tek objekti i Ministrisë së Drejtësisë është përcjellë me thirrje për dorëheqje, derisa pjesëmarrësit mbanin në duar pankarta të shumta si: “Historinë e Kosovës po e shkruajmë me gjak të grave”, “Poshtë patriarkati”, “Drejtësi, jo poezi”,”Burrat vrasin gratë, shteti heshtë”,“Prokuroria i ka duart me gjak”, “Gjykata i ka duart me gjak”, “Policia i ka duart me gjak”, “Shteti i ka duart me gjak”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *