Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka njoftuar se PDK është bërë sot anëtare e grupacionit më të madh politik të partive liberale të Evropës, ALDE, në Këshillin e këtij grupacioni të mbajtur në Bratisllavë.
Krasniqi ka thënë se pranimi i PDK-së në ALDE vjen si finalizim i një procesi tejet të rëndësishëm për të dhe PDK-në.
Sipas tij, ky është një hap i madh drejt përqafimit të vlerave evropiane dhe rikonfrimim i njohjes së reformave thelbësore që PDK ka bërë gjatë këtij viti.
“Pas një pune dinamike gjatë gjithë vitit, me shumë takime dhe lobime, sot, në mbledhjen e dytë vjetore të Këshillit të Partisë Aleanca e Liberalëve dhe Demokratëve të Evropës (ALDE), të mbajtur në Bratisllavë të Sllovakisë, Partia Demokratike e Kosovës është pranuar si anëtare me të drejta të plota e kësaj partie pan-evropiane”, ka njoftuar ai.
ALDE është grupacioni më i madh politik i partive të liberale të Evropës, vizion të cilin e ka përqafuar edhe PDK.
“Parimet themelore liberale të lirisë, demokracisë, shtetit të së drejtës, të drejtave të njeriut, tolerancës dhe solidaritetit – janë vlerat që promovojnë partitë politike që qëndrojnë nën ombrellën e ALDE-s, e të cilat i kemi si mision për t’i zbatuar edhe në Kosovë”, ka thënë lideri i PDK-së.
“Pranimi ynë në ALDE vjen si finalizim i një procesi tejet të rëndësishëm për mua dhe PDK-në. Ky është një hap i madh drejt përbrendësimit të vlerave evropiane dhe rikonfrimim i njohjes së reformave thelbësore që PDK ka bërë gjatë këtij viti”, ka thënë më tej ai.
Në fund, Memli Krasniqi ka thënë se një PDK e hapur dhe gjithëpërfshirëse, me vizion 50/50 për përfaqësim gjinor në të gjitha strukturat dhe nivelet e vendimmarrjes, me rini të fuqizuar dhe aktive, si dhe e integruar në rrjetin e partive liberale evropiane, është plotësisht në funksion të forcimit dhe demokratizimit të vendit dhe shoqërisë tonë!
“Urime të gjithë anëtarëve e aktivistëve dhe na priftë e mbara bashkë!”, ka përfunduar ai.