Mëngjesin e së shtunës, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku gjatë një konference për media tha se siguria e liderëve perëndimorë është mbi dëshirën për protestë.
Kreu i Policisë, nënvizoi se më 6 dhjetor, ditën e samitit BE-Ballkani Perëndimor lëvizja do të devijohet në rrugë alternative, ndërkohë që nuk do të ketë asnjë pritje për të ndaluar protestën e opozitës.
Ai vuri theksin tek zona e kuqe, pra perimetri i sigurisë nuk do të lejohen qytetarët.
“Nisur nga përvoja e aktiviteteve të mëparshme, kemi fituar përvojën dhe besojmë se do tregojë përkushtim e profesionalizëm. Duam të sigurojmë qytetarët se data 6 dhjetor është ditë normale mësimi dhe jetës së përditshme. Rrugët e bllokuara, lëvizja është devijuar në rrugë dytësore. Policia nuk ka pasur e nuk do të ketë asnjë prirje për të ndaluar apo spostuar asnjë protestë, por siguria e delegacioneve që do të marrin pjesë në Samit, na imponon të vëmë sigurinë kombëtare e ndërkombëtare mbi dëshirën gjeografike për të protestuar.
Nuk e ndalojmë protestën por garantojmë mbajtjen e saj jashtë perimetrit të sigurisë. Kemi besimin e arsyeja do mbizotërojë mbi emocionet por jemi të përgatitur për çdo rast kur do të ndodhë e kundërta”, tha ai.
“Policia e Shtetit nuk e ndalon absolutisht protestën e lajmëruar, por garanton mbarëvajtjen e saj jashtë perimetrit të sigurisë, pasi Perimetri i Sigurisë është i pacenueshëm dhe i aksesueshëm vetëm nga pjesëmarrësit në Samit dhe nga gazetarët e akredituar”, shtoi ai. /Euronews