Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha sot se nuk është “as i çmendur, as i dehur, as budalla” që të mos e kuptojë se që nga fillimi i vitit çdo mundësi për bisedime me Prishtinën gradualisht ka dështuar.
Në konferencën për shtyp pas takimit me Komisarin e Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelji, presidenti Vuçiq tha se ai pi vetëm “çaj kamomili dhe Coca-Cola Zero” dhe se nuk është penduar për asnjë fjalë që ka thënë të enjten mbrëma kur ai ishte në TV Pink lidhur me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
“Kurti, është ‘lum terrorist’, dhe se ministri i sapoemëruar në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, dhe politikanja Rada Trajkoviq janë “llumrat më të këqij serbë, nga fundi i kovës”, kështu pati deklaruar Vuçiq.
Madje, sipas Vuçiqit, është dashur të shprehet edhe me fjalor burokratik.
“Edhe sot e mendoj të njëjtën gjë dhe ndoshta është dashur të përdorë pak më shumë fjalor burokratik”, shtoi presidenti serb.
Vuçiq tha gjithashtu të enjten në mbrëmje se për shkak të qëndrimit ‘të turpshëm’ të BE-së ndaj zgjedhjes së Rashiqit, askush nga Serbia nuk do të marrë pjesë në Samitin e ardhshëm BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë.
Pas takimit të sotëm, ai tha se Varhelji pa mëdyshje i tha atij se njerëzit nga BE mendojnë se është e rëndësishme që Serbia të përfaqësohet në samitin në Tiranë.
“Unë personalisht e shoh se nuk ka kuptim, por jam gati të dëgjoj, Ana Bërnabiq dhe njerëzit përreth saj mendojnë se është e rëndësishme për mua të jem në Tiranë. Nuk është çështje e kotësisë a e deklaratës sime. Unë e respektoj Varheljin si mik, nuk është problem ta shqyrtoj edhe një herë atë vendim, nëse shoh se ka mundësi dhe kuptim për të thënë diçka”, tha Vuçiq.
Sipas tij, Prishtina prodhon veprime të reja që sjellin tensione dhe vënë në dyshim mbijetesën e paqes dhe stabilitetit.
Varhelji tha se liderët e BE-së do të vijnë për herë të parë në rajon, në Tiranë, për të biseduar me rajonin për rajonin dhe se është e nevojshme që Serbia dhe lideri i saj të jenë në tryezë.
“Nuk kam nevojë t’ju them se sa vëmendje ka publiku kur bëhet fjalë për marrëdhëniet mes Serbisë dhe BE-së dhe politikës së zgjerimit, sepse lufta ruse kundër Ukrainës ka treguar se e vetmja zgjidhje reale dhe afatgjatë për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin është anëtarësimi në BE”, theksoi Varhelji.
Ai informoi se vetëm pak ditë para samitit në Tiranë ka biseduar me Vuçiqin se si t’i “vjelin frytet e punës në kontekstin ku ndodhen duke shpresuar t’i shohin liderët të diskutojnë strategjitë dhe politikat, por edhe se ata do sjellin përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët.