Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Lumir Abdixhiku ka reaguar pas vrasjes së një gruaje shtatzënë nga ish-bashkëshorti, duke thënë se ka diçka thellësisht të tmerrshme brenda shoqërisë sonë.
Ai në një postim në Facebook ka shkruar se nuk mund të sillemi në cikël të njëjtë reagimi; nga dhuna në reagim, deri në fatalitetin tjetër.
“Sërish një grua, në javën e fundit të shtatzënisë, bëhet viktimë e një krimi monstruoz. Kjo më s’është gjendje normale; e ne nuk mund të normalizojmë vetëm me reagime këtë alarm nacional që na shpërfaqet në mënyrën më çnjerëzore të mundshme para sysh tani nga dy herë në javë”, ka shkruar Abdixhiku.
“Na duhet një veprim kombëtar, nga policia tek prokuroria e gjyqësia, nga edukimi e mbështetja kolektive, për të luftuar këtë dukuri dhune ndaj gruas drejt e në rrënjë. Kosova mundet më ndryshe. Shoqëria jonë duhet të jetë më ndryshe”, ka shkruar tutje kreu i LDK-së.
“Fjalët tani humbin peshën. Asgjë çfarë themi sot nuk kthen prapa jetën e shuar të një gruaje të pambrojtur e jetën e pa nisur të një fëmije. Si prind e familjar ndjej dhimbje dhe mllef për humbjen e trishtuar të kësaj mbrëmje. Si pjesë e spektrit politik, ndjej obligimin njerëzor për të luftuar këtë dukuri dhune ndaj gruas që ka marrë karakter nacional tashmë. Ky duhet të jetë misioni ynë parësor sot”, ka shtuar ai.