Kryeministri Albin Kurti e ka mirëpritur vendimin e ambasadorëve të Bashkimit Evropian që t’i japin Kosovës dritën e gjelbër për liberalizimin e vizave, por meritat kryesore për këtë ai i ka lënë qeverisjes së tij.
E lidhur me këtë ka reaguar nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, e cila duke iu drejtuar kryeministrit ka thënë se kontributi i tij në këtë proces fillon dhe përfundon me gazin lotsjellës në Kuvend.
Tutje, ajo i ka quajtur të pavërteta deklarimet e Kurtit, i cili tha se kriteret teknike ishin plotësuar tash e një kohë të gjatë, por jo edhe kërkesat e ndërkombëtarëve për sundim të ligjit, luftim të krimit dhe korrupsionit, si dhe respektim të institucioneve të pavarura.
“Kryeministri në një status të gjatë në facebook duke bërë përpjekje me ia dhanë vetes meritat për liberalizimin e vizave (në vitin 2024), paska thënë të pavërteta të mëdha, duke justifikuar kështu edhe vonesat e BE për liberalizimin e vizave”, ka shkruar Çitaku në Facebook.
“Kryeministër, kriteret Kosova i ka përmbushur moti. Siç shpresoja ta kishit kuptuar së paku javën e kaluar kur çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën u hoq nga agjenda, vonesat për Kosovën, së paku nga viti 2018 janë të pajustifikueshme dhe të natyrës politike. E sa për kontributin tuaj në këtë proces, ai fillon dhe përfundon me gazin lotsjellës në Parlament”, ka shtuar ajo.