Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha sot në Bukuresht se aleanca ushtarake është e gatshme të mbrojë çdo pëllëmbë të territorit të saj, duke folur në një takim të organizuar nga Instituti Aspen i Rumanisë dhe Fondi Gjerman Marshall.
Stoltenberg njoftoi se ministrat e jashtëm të NATO-s po takohen në Bukuresht në një kohë kur lufta ruse po shpërthen në kufijtë e Rumanisë.
“Kjo është një kohë kritike për sigurinë tonë, por ne po dërgojmë një mesazh se NATO-ja është këtu, vigjilente dhe e gatshme për të mbrojtur çdo pëllëmbë të territorit të saj. Në përgjigje të luftës në Ukrainë, ne ngritëm gatishmërinë e trupave tona. Ne kemi dyfishuar njësitë tona luftarake nga dy në tetë. Javën e kaluar, NATO-ja kreu stërvitje në Rumani në të cilat morën pjesë avionë nga Spanja, Türkiye, Shtetet e Bashkuara dhe Franca. Me këtë ne treguam se aleatët e NATO-s janë duke bashkëpunuar dhe se janë të gatshëm të mbrojnë çdo pëllëmbë të vendit, si dhe hapësirën e tyre ajrore”, tha ai.
Ai tha se NATO-ja nuk është pjesë e konfliktit në Ukrainë, por se i ofron mbështetje atij vendi.
“Ukraina është një komb që ka të drejtën e vetëmbrojtjes, e cila është e shkruar edhe në Kartën e OKB-së. Putin përballet me dështimin dhe përgjigjet me më shumë brutalitet. Kemi gjithnjë e më shumë sulme me raketa në infrastrukturën civile. Është e tmerrshme për Ukrainën, por është gjithashtu një kohë e vështirë për ne në Evropë dhe në mbarë botën”, nënvizoi Stoltenberg.
Ai tha se të gjithë po paguajnë çmimin e luftës së Rusisë kundër Ukrainës, por dikush po paguan me para, ndërsa ukrainasit me gjak. Stoltenberg tha se nuk ka paqe të qëndrueshme nëse fiton agresori, nëse shtypja dhe autokracia fitojnë mbi demokracinë.
Sekretari i Përgjithshëm tha se lufta ruse kundër Ukrainës nuk e bëri NATO-n të harrojë partnerët e tjerë që janë të ekspozuar ndaj agresionit rus ose kërcënimeve ruse, si Gjeorgjia, Moldavia dhe Bosnjë e Hercegovina.
Ai theksoi se është e rëndësishme të forcohet qëndrueshmëria e tyre dhe të modernizohen forcat ushtarake në mënyrë që ata të mund të mbrohen më mirë.
Ndryshe, Stoltenberg theksoi se Deti i Zi është me rëndësi për Aleancën Veriatlantike.