Logopedit nga Gjilani, Iljasa Fazliu i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh, nga Gjykata Themelore e Gjilanit.
Fazliu dyshohet se ka abuzuar psiqikisht në ordinancën e tij me një 3 vjeçare e cila vuan nga autizmi.
Përveq Fazliut, masën e paraburgimit gjykata u ka caktuar edhe dy familjarëve të viktimës të cilët pas rastit e kishin sulmuar fizikisht logopedin.
“Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 (tridhjetë) ditë të pandehurve I. F., I. Sh. dhe R. V.
Ekziston dyshimi bazuar se i pandehuri I. F., me datë 26 nëntor 2022, në intervalin kohor prej orës 10.00-11.00 minuta, në ordinancën private, në cilësinë e mjekut Defektolog –Logoped, haptas ka përdorur metodë të pa përshtatshme për trajtim dhe nuk ka zbatuar rregullat e profesionit të logopedit, ashtu që gjatë seancës për trajtim të fëmijut të moshës 3 vjeçare, me gjendje të autizmit, ndaj të njëjtës ka përdorur fjalë të ndryshme ofenduese dhe degraduese, kështu që i pandehuri me veprimet e tij bie ndesh me nenin 94 paragrafi 4 nënparagrafi 4.4 të Ligjit mbi Shëndetësinë, duke mos iu përmbajtur parimeve etike dhe profesionale gjatë ushtrimit të kujdesit shëndetësor, përmes të cilave ka ndikuar në keqësimin e gjendjes shëndetësore të fëmijët”, thuhet në njoftimin e gjykatës.