Kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi i ka uruar të gjithë shqiptarët me rastin e 110 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.
Arifi përmes një postimi në Facebook ka shkruar se “Plot krenari e nder, festojmë për ty Shqipëri” teksa ka theksuar se sot në Preshevë valon flamuri më i bukur në botë.
Ndryshe, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, së bashku me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, morën pjesë në ceremoninë e ngritjes së flamurit me rastin e 110-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.
Pjesë e kësaj ceremonie ishin edhe presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Në këtë ceremoni nuk munguan as dy kryetarët e Kuvendeve, Glauk Konjufca dhe Lindita Nikolla.
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka thënë se kurora e Pavarësisë së Shqipërisë është e mbushur me gurë të çmuar.
“Me gëzim e krenari të ligjshme, Vlora lavdimadhe dhe heroike na fton sot për të kremtuar 110-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Në këtë shesh në këtë qytet, për herë të parë kumboi himni i pavarësimin të shtetit të ri shqiptar, të një populli që hynte në epokën e mëvetësisë dhe sovranitetit si kurorëzim i përpjekjeve, aspiratave dhe sakrificave të panumërta shekullore”.
“Pavarësia e Shqipërisë ishte dhe mbetet vepër e madhe e kombit shqiptar, e brezave dhe patriotëve të panumërt që me përgjegjësi historike në ditët e rrezikut të madh jetuësuan vullnetin shekullor të popullit me shumë guxim e largpamësi”.
“Ishte trimëria e djelmësirsë kosovare dhe asaj mbarë shqiptare që i dolën për zot vatanit dhe i demostruan mbarë botës shenjtërinë e lirisë, gjuhës atdheut dhe identiteti kombëtar”, shtoi ai.