Presidenti Begaj uron shqiptarët nga Vlora

Urimi i Presidentit Bajram Begaj: Me gëzim dhe krenari, Vlora heroike na fton sot për të festuar 110 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Patriotë të mëdhenj dhe mendje ndritur, udhëhequr nga Ismail Qemali, i dhanë atdheut vendin dhe pavarësinë që i takonte.

Historia jonë është histori e përpjekjeve. Ngritja e Flamurit në Vlorë nuk ishte dhuratë, pavarësia e Shqipërisë ishte dhe mbetet krenari e madhe. I kujtojmë sot ngjarjet e mëdha të historisë, që brezat të mos harrojnë dhe të mbushen me krenari për atdheun kombëtar.

Ky flamur dhe kjo tokë është amaneti i të parëve. Kombi shqiptar ka forcuar pozitat dhe rolin e merituar për fqinjësinë e mirë në rajonin tonë. Nëse para 110 viteve diskutohej copëzimi i trojeve, sot Shqipëria luan një rol të rëndësishme për ruajtjen e paqes.

Në fillim të dhjetorit për herë të parë mblidhet samiti i BE. Kjo shënjon një ngjarje të madhe. Nxit një përgjegjësi të shtuar për institucionet dhe për klasën politike. Pavarësisht arritjeve, kemi rrugë të gjata përpara. Duhet të jemi bashkë për zhvillimin e vendit dhe respektimin e çdo individi.

Duhet të jemi  bashkë për luftën kundër korrupsionit, për një Shqipëri me të drejta të barabarta, e të rinjve që gjejnë shpresë që të ardhmen e tyre ta gjejnë dhe zhvillojnë në Shqipëri. Shqipëria duhet të mbështesë Kosovën dhe të jetë zëri i saj sa herë të jetë e nevojshme.

Unë i bëj apel vetëdijes shqiptare se atdheu dhe kombi kanë nevojë për përkushtimin dhe dashurinë e secilit prej nesh. Uroj sot shqiptarët kudo ndodhen, gëzuar 110 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *