Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, pas mbledhjes së përbashkët të deputetëve nga Kosova dhe Shqipëria, ka falënderuar të gjithë ata që rezistuan dhe sakrifikuan për të jetësuar aspiratat shekullore.
Me anë të një postimi në Facebook, në vigjilje të 110-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, Krasniqi ka kujtuar dhe nderuar heronjtë që me guximin e tyre e mundësuan lirinë.
“Sot, bashkë, kujtojmë dhe nderojmë heronjtë e kënduar dhe të pakënduar nga dy shtetet tona, të cilët me guximin, ëndrrën dhe vizionin e tyre mundësuan këtë ditë. Sot, bashkë, falënderojmë secilin shqiptar, andej dhe këtej kufirit, të cilët me rezistencën, sakrificën dhe përpjekjen e vazhdueshme jetësuan aspiratat shekullore”, ka shkruar ai.
“Kjo flakë shekullore, që ngrohë e ndriçon vazhdimisht zemrat, mendjet dhe rrugët tona, le të jetë udhërrëfyes i përjetshëm i kombit tonë drejt unitetit e suksesit”, ka shkruar ai.
Ndryshe, të hënën, më 28 nëntor në ora 09:00 do të ketë homazhe te busti i heroit kombëtar Gjergj Kastrioti-Skenderbeu, ndërkaq në ora 10:00 homazhe tek varrezat e familjes Jashari në Prekaz.
Ndërkaq, duke filluar nga ora 12:00 e deri në 14:00, në sheshin e Prishtinës do të jetë togu ceremonial i FSK-së.