Zv/kryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, e ka pritur në takim ministren për Evropë dhe Punë të Jashtme të Shqipërisë, Olta Xhaçka, raporton (AA).
Ministrja Gërvalla-Schwarz pas takimit me homologen shqiptare tha se kanë biseduar për sfidat dhe planet e përbashkëta.
Ministrja kosovare tha se mërgata dhe shqetësimet e mërgatës shqiptare po ashtu kanë qenë temë diskutimi, ngase siç tha ajo, “qytetarët tanë në mërgim nuk e ndajnë veten në qytetarë që vijnë nga Tirana apo Prishtina, por ndajnë të njëjtat halle”.
Gërvalla-Schwarz gjithashtu tha e me homologen Xhaçka kanë biseduar për marrëveshjet e nënshkruara midis dy qeverive dhe zbatimin e tyre.
“Dy shtetet tona motra kanë dëshmuar jo vetëm orientimin e tyre të padiskutueshëm pro evropian dhe pro perëndimor, e kanë dëshmuar edhe veten si shtytësit kryesorë të progresit në zhvillimin rajonal dhe në iniciativat e ndryshme rajonale”, theksoi Gërvalla-Schwarz.
Ministrja për Evropa dhe Punë të Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka, tha se vizita e saj po bëhet në prag të 110 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, derisa shtoi se ky është moment i mirë që të gjithë shqiptarët të reflektojnë për rrugën e gjatë deri tek pavarësia.
Xhaçka tha se Shqipëria në vijimësi ka ngritur zërin në përkrahje të Kosovës në çdo forum ndërkombëtar, përfshirë Këshillin e Sigurimit.
Ministrja shqiptare tha se Shqipëria e përkrahë procesin e Dialogut Kosovë-Serbi dhe arritjen e një marrëveshjeje të detyrueshme ligjore që sjellë njohje reciproke.
“Pyetja që gjithmonë i shtrojmë vetes është se sa ndihmon një veprim i yni Kosovën, çfarë mund të bëjmë më shumë për Kosovën. Sigurisht se ka edhe çështje për të cilat ndajmë qëndrime të ndryshme, por çdo rast Kosova, mbështetja e saj, interesi i saj është prioritet absolut për të cilin punojmë me po atë pasion dhe përkushtim siç punojmë për Shqipërinë”, theksoi Xhaçka.
Ministrja shqiptare Xhaçka do të pritet edhe nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.