Fëmija i zhdukur prej 8 ditësh në Gjermani, gjendet në kanalizim

Një tetë vjeçar nga Oldenburgui Gjermanisë, i zhdukur prej tetë ditësh, është gjetur i gjallë në një gropë të kanalizimit. Këtë e ka bërë të ditur policia e qytetit përmes Twitter-it.

Djali me probleme mendore, i quajtur Joe, u pa për herë të fundit më 17 qershor.

“8-vjeçari Joe është gjallë”, lexohej në Twitter të shtunën në mëngjes. “Ai sapo u gjet në një hendek në Oldenburg. Ai aktualisht po dërgohet në një spital dhe po trajtohet atje”.

Një shëtitës në një zonë banimi në lagjen Donnerschwee dëgjoi një ulërimë të dobët nga drejtimi i kapakut të një pusi rreth orës 6:20 të mëngjesit dhe informoi policinë, brigadën e zjarrfikësve dhe shërbimet e shpëtimit. Kur hapën kapakun e rëndë, gjetën djalin e vogël. Fëmija me të meta mendore u gjet vetëm disa qindra metra larg shtëpisë së prindërve të tij. Ai është parë për herë të fundit në atë pjesë të qytetit, në zonën e ish-kazermës.

Kërkimi i fëmijës u bë për ditë të tëra jo vetëm nga policia, zjarrfikësit dhe ekipet e shpëtimit por edhe komuniteti i qytetit ishte i shqetësuar. Shumë vullnetarë u nisën për një kërkim në mënyrë të organizuar ose individualisht. Kompanitë dhe shoqatat ndanë thirrjet e kërkimit.

Në ditën e shtatë të zhdukjes, policia ngriti edhe komisionin e vrasjes.

Fakti që djali u gjet, nuk do të thotë se policia ka përfunduar tashmë hetimet. Ka ende shumë pyetje, ku kryesore është: Si u fut në puset? Edhe një i rritur i fortë nuk mund ta ngrejë lehtësisht kapakun jashtëzakonisht të rëndë.

Është e mundshme që fëmija u ngjit në labirintin e tunelit në një pikë tjetër në sistemin e kanaleve të degëzuar dhe u zvarrit nëpër tuba, tha zëdhënësi i policisë Stephan Klatte.

“Disa nga tubat e kanalizimeve janë aq të ngushta sa që asnjë i rritur nuk mund të kalojë”, tha Klatte.

Tani hetuesit duan të përdorin kamerat për të kërkuar gjurmë në kanalizimet për të kuptuar rrugën që mund të kishte marrë djali.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *