Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se shfuqizimi i vendimit të ish-Qeverisë Haradinaj për rritjen e pagave për gjyqtarët dhe prokurorët, nga Qeveria Kurti është bërë pasi ky vendim ka qenë i paligjshëm.
Në një konferencë për media, Haxhiu është shprehur se “s’mund ta mbajmë në jetë një vendim i cili është i paligjshëm”, megjithatë ka thënë se me Ligjin e Pagave do të rriten pagat për të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët.
“Ligji i Pagave rrit pagat për gjyqtarët dhe prokurorët e ne s’mund ta mbajmë në jetë një vendim që është i paligjshëm. Përmes reformës në administratën publike synojmë të kemi paga të barabarta, dinjitoze për të gjithë”.
“Pra, ish-kryeministri Haradinaj dhe ministrat e tij fare s’kanë qenë në dijeni ky vendim do t’i rriste pagat edhe në sistemin e drejtësisë. Duke qenë se ka qenë konflikt i drejtpërdrejt i interesim ne e kemi kundërshtuar”, ka deklaruar tutje ajo.