Duke iu përgjigjur deputetit demokrat Xhaferaj, nga Kuvendi Rama tha se nuk mund ta shpallin gjendjen e emergjencës për shkak të situatës së reshjeve.
Rama: Ju më kujtoni shprehjen “jep shpirt, po nuk heq dorë.” Më nxjerr një video të asaj kohe dhe thua “hajde dhe konfrontohu.” Unë i qëndron prapë atyre që nxore dhe te video e parë dhe te e dyta. Çështja është te faktet. Më kërkoni shpallni emergjencën natyrore. Për çfarë ta shpallim? Për 30 banesa që kishin prezencë uji dhe që nuk e kanë më. Fotografitë mos mi trego se nuk janë live. Uji ka filluar të tërhiqet. Është e gjatë për të treguar se çfarë kemi bërë ne. Sot kemi një strukturë e cila ngrihet me sustë në këmbë, nuk shkon me shapka dhe me varka teneqeje si në 2010. Nëse ka një emergjencë vihet në lëvizje i gjithë mekanizmi. Ju jeni tamam si ajo që thoshte e shkreta mama e Bujar Lakos, “të kesh dy një ta mbash e një ta çash.”
Xhaferraj nga Kuvendi i kërkoi mazhorancës që mos vijojnë të fajësojnë qeverisjen e Berishës para 9 vitesh për situatën e krijuar.
Sipas tij, edhe pse 9 vite në pushtet, qeveria aktuale nuk ka arritur ta zgjidhe situatën me Shkodrën, Durrësin dhe Lezhën, që janë 3 qytetet më të prekura pas reshjeve të dendura të ditëve të fundit.