Zëdhënësi i shefit të diplomacisë europiane, njëkohësisht zëvendëspresidentit të Komisionit Europian Josep Borell, Peter Stano ka konfirmuar mbajtjen e një takimi në Bruksel të kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, por pa dhënë garanci që mund të ketë një marrëveshje sot.
I pyetur nga ABC në konferencën e shtypit të përditshme tê Komisionit Europian mbi konfirmimin e takimit të sotshëm në Bruksel dhe se a pritet të ketë njê marrëveshje për këtë sot, Peter Stano êshtë pêrgjigjur:
“Shpresoj, që ju të keni të drejtë dhe të jemi në gjendje të komunikojmë për një marrëveshje përfundimtare sot, por ju e keni djekur dialogu për një kohë të gjatë për tê ditur, se nëse takimi mbahet sot, atëherë do të vijohet nga disa takime të tjera. Lidhur me pyetjen tuaj të parë, mund t’ju konfirmoj, që ne i kemi ftuar dy kryenegociatorët nga Kosova dhe Serbia për të ardhur në Bruksel.
Mund t’ju konfirmoj që kemi marrë konfirmimin e të dyja palëve që ata do vijnë në Bruksel. Po, qëllimi ynë është që të kemi një takim me ta në Bruksel. Qëlllimi është si gjithnjë, që të gjehet njê rrugëdalje për situatën aktuale në frymën europiane.
Siç e dini, takimet në nivelin e kryenegociatorë normalisht vijohen nga takime në nivelin e lartë kur kryenegociatorët arrijnë dakortësinë për cfarëdolloj pike. Ne kemi parë dialogun urgjent të nivelit të lartë të hënën me liderët Kurti dhe Vucic.
Fatkeqësisht, ai takim nuk solli asnjë rezultat. Bashkimi Europian përsërit dhe rikujton, se ne presim një sjellje europiane nga të dyja palët për të gjetur një zgjidhje europiane lidhur me rrugëdaljen nga situata aktuale që është një situatë krize, kriza më e keqe që ne kemi parë së fundmi nê marrêdhëniet midis dy palëve”.