Me fillimin e ndeshjes mes Katarit dhe Ekuadorit, të dielën fillon edicioni i 22-të i Kupës së Botës në futboll, eventit sportiv më të ndjekur globalisht. Për trofeun prestigjioz garojnë 32 ekipe kombëtare të ndara në 8 grupe, ndërsa ndeshja finale që përcakton fituesin do të luhet më 18 dhjetor, në Ditën Kombëtare të Katarit.
Gjithsej 64 ndeshje do të luhen në 8 stadiumet e Katarit të ndërtuara enkas për Kupën e Botës, me kapacitet prej 40.000 deri në 80.000 shikues.
Katari është vendi i parë mysliman që organizon një event të madh si Kupa e Botës ose Lojërat Olimpike. Për herë të parë nuk do të shërbehet alkool në tribunat e stadiumit gjatë ndeshjeve të Kupës së Botës, ndërsa organizatorët kanë siguruar birra pa alkool për fansat mysafirë.
Kupa e Botës në Katar është më e shtrenjta në historinë e këtij kompeticioni deri tani. Katari ka shpenzuar një shumë marramendëse prej 220 miliardë dollarësh për të përgatitur sa më mirë Kupën e Botës.