Rritja e fragmentimit të gjumit është “parashikuesi më i fortë i vdekshmërisë”, bazuar në një raport të studimeve. Hulumtimi, i botuar së fundmi në revistën “Digital Medicine”, vlerësoi 12 mijë studime që hulumtonin karakteristikat e individëve gjatë gjumit të tyre, duke përfshirë lëvizjen e mjekrës dhe këmbëve, frymëmarrjen dhe rrahjet e zemrës.
Shkencëtarët, duke përfshirë Emmanuel Mignot nga Universiteti i Stanfordit, zhvilluan një sistem duke përdorur mësimin e makinerive për të parashikuar “moshën e gjumit” të një personi dhe për të identifikuar ndryshimet në gjumë të lidhura më ngushtë me vdekshmërinë.
“Mosha e gjumit”, thonë ata, “është një moshë e vlerësuar e një personi bazuar në karakteristikat e gjumit që lidhen me shëndetin e tyre”, shkruan The Indenpendent, transmeton Klankosova.tv.
Hulumtimet e mëparshme kanë dokumentuar se gjumi është një nga gjërat e para që paralajmërojnë shumë çrregullime. Shkencëtarët cituan shembullin e pacientëve me sëmundjen e Parkinsonit dhe thanë se në shumicën e rasteve, ata shohin ëndrra me dhunë rreth pesë deri në 10 vjet përpara se të shfaqen simptoma të tjera.
Duke vlerësuar tiparet e ndryshme të gjumit të individëve, studimi i ri zbuloi se fragmentimi i gjumit, kur njerëzit zgjohen shkurtimisht disa herë gjatë natës pa e kujtuar atë, ishte “parashikuesi më i fortë” i vdekshmërisë. Studiuesit thonë se ky lloj i ndërprerjes së gjumit është i ndryshëm nga kur një person kupton se po zgjohet, siç raportohet në çrregullimet e gjumit si pagjumësia dhe apnea e gjumit. Megjithatë, ata thonë se është e paqartë se si fragmentimi i gjumit lidhet me rrezikun e vdekjes.
Në hulumtim, shkencëtarët përcaktuan se si duket gjumi mesatar në një moshë të caktuar. Më pas ata përdorën një sistem të mësimit të makinerive për të vlerësuar modelet në të dhënat e individëve në 12 mijë studimet dhe e përdorën atë për të parashikuar moshën e tyre të gjumit.
Duke përdorur ndryshimin midis moshës kronologjike të njerëzve dhe moshës së tyre të gjumit, studiuesit më pas parashikuan vdekshmërinë e tyre bazuar në supozimin se mosha e gjumit më të vjetër është një tregues i një problemi shëndetësor.