Nga kjo javë Ministria e Punëve të Brendshme ka ndërprerë lëshimin e pasaportave për të gjithë përveç pacientëve që kanë urgjenca mjekësore e u duhet të udhëtojnë për trajtim shëndetësor jashtë vendit. Kjo ministri nuk është përgjigjur rreth kësaj situate, megjithatë KOHA ka mësuar se mundësia më e afërt për furnizim me material me pasaporta është mesi i janarit të 2023-tës. Burimet i kanë treguar KOHËS që kompania që e ka pasur tenderin më parë ia ka bërë me dije MPB-së se nuk mund të sigurojë material më herët. Me këtë kompani MPB-ja pritet të lidhë kontratë emergjente meqë tenderi i rregullt është i bllokuar në OSHP.
As shtatë muaj pas shpalljes së tenderit për furnizim me material për pasaporta, Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka arritur ta finalizojë procedurën e kontraktimit.
Ky proces është iniciuar në prill të vitit 2022, e disa ditë me herët MPB-ja e ka anuluar me arsyetimin se asnjëra nga kompanitë që ka aplikuar në tender nuk është e përgjegjshme. Ky vendim është ankimuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit, por ende nuk ka përfunduar afati ligjor i këtij institucioni për trajtimin e rastit. OSHP-ja nuk është përgjigjur në pyetjen e KOHËS nëse do ta trajtojë atë me prioritet, duke pasur parasysh situatën.
Të premten para MPB-së nuk ka pasur shumë qytetarë që prisnin për pasaporta. Zyrtarët brenda, mbrapa kamerave, kanë treguar që tashmë të interesuarit e dinë që nuk ka material.
Kontrata paraprake është shfrytëzuar 100 për qind. Ligjërisht një institucion publik mund ta shfrytëzojë kontratën edhe për 30 për qind shtesë jashtë kontratës, por, siç kanë thënë burimet, kompania nuk ka material. Materialin në emër të 30-përqindëshit shtesë apo të një kontrate të negociuar emergjente kjo kompani i ka thënë MPB-së që mund ta sjellë vetëm në gjysmën e janarit të vitit 2023.
Televizioni e ka pyetur Ministrinë e Punëve të Brendshme nëse ka hapur ose jo tender emergjent, ose nëse është duke negociuar me ndonjë kompani për furnizim emergjent, por ajo nuk ka kthyer përgjigje.
Neni 35 i Ligjit të Prokurimit Publik parasheh një mundësi të tillë.
Nëse, për aq sa është shumë e nevojshme për arsye të emergjencave ekstreme që janë shkaktuar nga ngjarje objektivisht të verifikuara, të cilat nuk kanë pasur mundësi të parashikohen me arsye nga autoriteti përkatës kontraktues, autoriteti i tillë kontraktues nuk mund ta japë kohën e kërkuar për ushtrimin e cilësdo procedurë tjetër që parashtrohet në këtë ligj. Me kusht që kjo dispozitë të mos mund të shfrytëzohet nëse rrethanat që e kanë krijuar situatën emergjente ekstreme, mund t’u atribuohen veprimeve neglizhente ose të qëllimta, ose lëshimeve të autoritetit kontraktuee”, thotw neni.
Por edhe kjo, siç ka mësuar KOHA, aktualisht nuk është e mundshme. MPB-ja, sipas burimeve, është duke e shqyrtuar tenderin emergjent dhe këtë e ka diskutuar me kompaninë që aktualisht e ka tenderin e rregullt, por ajo ka thënë se i duhet minimum dy muaj e gjysmë për ta siguruar materialin.
Tenderi i rregullt, i shpallur këtë vit nga MPB-ja, pritej të kishte kohëzgjatje prej 36 muajsh dhe në të kanë aplikuar dy kompani të huaja. Për realizimin e këtij furnizimi Ministria e Punëve të Brendshme ka ndarë 12.300.000 euro.