Është bërë publike dosja e mbrojtjes së ish-presidentit Thaçi në Hagë.
Në tërësi, dosja në fjalë përmban 82 faqe.
Pjesët e para të kësaj dosjeje janë përshkrime të avokatit të Thaçit mbi historikun e konfliktit Kosovë – Serbi, që kulmoi me gjenocidin e kryer nga regjimi i Millosheviqit më 1999 si dhe lindjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si forcë mbrojtjeje ndaj civilëve.
Një rast interesant dhe bisedë interesante mes ish-presidentit Thaçi dhe ambasadorit Christopher Hill në Rambuje.
“Thaçi në Rambuje u paraqit si i arsyeshëm, i artikuluar dhe i gatshëm për kompromis. Me gjithë rininë e tij dhe papërvojën në negociatat ndërkombëtare, ai doli si bashkëbiseduesi i zgjedhur për komunitetin ndërkombëtar. Megjithatë, figurat ndërkombëtare, duke përfshirë edhe Sekretaren e Shtetit të SHBA-së, Madeleine Albright, e cila i kërkoi z. Thaçi të nënshkruajë marrëveshjen e propozuar, shpejt e kuptuan se ai nuk kishte autoritet për ta bërë këtë. Autoriteti i UÇK-së ishte në duart e komandantëve të zonave në terren. Diplomati amerikan Christopher Hill kujton se e pyeti Thaçin “pse nuk mund të pajtohesh me këtë?”, duke pasur parasysh atë që Hill i shihte si “pasojat gati fatale” të një refuzimi për të nënshkruar. Z. Thaçi u përgjigj se “Ju jeni që nuk kuptoni. Nëse pajtohem me këtë, do të shkoj në shtëpi dhe do të më vrasin”. Ky realitet ilustrohet nga fakti se ndërsa këto negociata po zhvilloheshin në Francë, prapë në Kosovë, komandantët e Zonës në fakt po ndryshonin përbërjen e UÇK-së, përfshirë edhe brenda udhëheqjes”, thotë avokati Keohe në dosjen e tij paraprake, përcjell lajmi.net
Përveç kësaj ngjarjeje, Keohe ka përshkruar një nga një në faqet e para mizoritë dhe masakrat e kryera nga regjimi i Millosheviqit në fshatrat e Kosovës.
Tutje, ai ka vënë në pah edhe se si Prokuroria këto ngjarje i ka minimizuar duke i përgjithësuar në maksimum dhe duke e paraqitur UÇK-së si një organizatë kriminale.