Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në Prishtinë, ku një i ri është gjetur pa shenja jete në banesën e tij në rrugën ‘Vicianum’.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës kanë bërë me dije se sot pasdite kanë pranuar thirrje për ndihmë, pasi që një person ndodhej pa ndjenja dhe dyshohej se ishte në rrezik për jetën.
Ekipi mjekësor i Emergjencës ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku kanë hasur në trupin e viktimës i cili ndodhej i shtrirë. Pas ekzaminimit për shenjat vitale, mjeku kujdestar ka konstatuar se i riu ka ndërruar jetë.
Sinjali mëson se viktima është D.B. 20-vjeçar, teksa nuk dihen ende shkaqet që çuan në vdekjen e tij.
Lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë kryer ekzaminimet që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit. Po ashtu tre persona janë shoqëruar në stacion policor, të cilët janë intervistuar në cilësinë e dëshmitarëve.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Vdekje e dyshimtë’.