Ngjarje tronditëse në Prishtinë në “Bon Vivant”: I riu hyn me armë duke kërcënuar dy persona, por përfundon në…

Përdorimi dhe mbajtja e armëve pa leje vazhdimisht po e cenon sigurinë e qytetarëve të vendit si dukuri negative. Jo rrallëherë Policia has në persona që posedojnë armë ilegalisht, por ndodh që të tilla raste të zbulohen edhe në kafene lokale të ndryshme.

Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë pas mesnate në një nga lokalet e kryeqytetit, Bon Vivant, në rrugën “Rexhep Luci”. Sinjali ka mësuar detajet e incidentit, ku ka ndërhyrë edhe Policia dhe si rezultat një person përfundoi në pranga.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije për Sinjalin se një person (emër i njohur për redaksinë) përveç që ka mbajtur armë kundërligjshëm, dyshohet se edhe ka kanosur seriozisht dy persona.

Sinjali mëson se i dyshuari që shkaktoi incidentin, për motive ende te panjohura, ka qenë nën ndikimin e alkoolit, por që është venë nën kontroll posa Policia ka arritur në vendin e ngjarjes.

Sipas informacioneve të para, me rastin e kontrollit policor, te i dyshuari është gjetur armë bashkë me fishekë, teksa i njëjti është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj të dyshuarit është lëshuar aktvendim për ndalim prej 48 orësh dhe inicimin e rasteve për armëmbajtje pa leje dhe përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm.

Akoma nuk dihet se si i dyshuari ka depërtuar brenda me armë dhe a është kontrolluar para se të hyjë në lokal.

Kujtojmë se më 13 tetor të vitit 2014, kishte ndodhur një vrasje në këtë lokal, ku dy persona akuzohen se kishin privuar nga jeta rojën e këtij lokali, të ndjerin Rrahman Uka.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *