Qeveria e Kosovës përkatësisht Ministria e Financave mbetet e prerë që mos të ndajë shtesa vetëm për punëtorët e sektorit privat. Ekzekutivi me pakon e fundit për përballje me inflacionin ka paraparë ndarjen e shtesave direket për punëtorët e sektorit publik me nga 50 euro nga muaji shtator, të ndërmarrjeve publike me 100 euro të njëhershme, si dhe pensionistët dhe studentët me nga 100 euro.
Ministri i Financave, Punës dhe Transferve, Hekuran Murati theksoi se nuk do të ndajnë mjete shtesë drejtpërdrejt për punëtorët e sektorit privat, por siç tha ai do t’i mbështesin punëdhënësit që t’u rrisin pagat punëtorëve të këtij sektorit.
Sipas Muratit fitimi i korporatave dhe bizneseve është më i lartë se që ka qenë ndonjë herë, dhe për këtë arsye ai tha se ka hapësirë që në sektorin privat kompanitë t’i rrisin pagat për punëtorë.
Megjithatë, ai tha se disa masa nga pakoja për përballje me inflacionin kanë nisur të zbatohen dhe shumë shpejt do të trajtohen edhe shtesat për studentë dhe pastaj për punëtorë të ndërmarrjeve publike.
“Masat po zbatohen, normalisht jo të gjitha për një herë ose për një muaj zbatohen. Për këtë ka një sekuencim njësoj sikur me pakon e prillit. Aktualisht formulari i aplikimit është i hapur për studentë, shumë shpejt do t’i trajtojmë edhe shtesat për punëtorët e ndërmarrjeve publike dhe për kategori të tjera. Sa i përket sektorit privat, çka kemi dashur të bëjmë si qeveri, ka qenë që të sigurohemi se ka një rritje permanente të pagave në sektorin publik. Pra t’i mbështesim punëdhënësit që t’u rriten pagat në mënyrë permanente. Sepse ne si qeveri kemi dhënë një mbështetje, por ajo ka qenë një mujore. Pra, në sektorin privat rritja e pagave duhet të vij nga punëdhënësi. Dhe këtë punëdhënësit kanë hapësirë, ne këtë e shohim nga niveli i qarkullimit edhe nga mbledhja e tatimit në fitimin e korporatave. Fitimi i korporatave është më i lartë se që ka qenë ndonjë herë, pra ka hapësirë që në sektorin privat kompanitë t’i rrisin pagat. Dhe ne si qeveri do të insistojmë në këtë”, tha Murati.
Në një konferencë për media bashkë me misionin e FMN-së, Murati vazhdoi duke kërkuar nga kompanitë “të mos i rrisin vetëm marzhat e fitimit, por këtë ta ndajnë edhe me punëtorë”.