Mungesa e njërit prej kritereve të përgjithshme për rekrut të FSK-së, tatuazhi, u bë shkas për mospranimin e Eurolind Shehut në Forcat e Sigurisë së Kosovës. Për Gazetën Insajderi Shehu ka treguar detaje nga mospranimi i tij në FSK, dhe tatuazhin me figurën e shqiponjës, të cilin thotë se nuk e heq kurrë pasi është krenari për të. Ndër tjerash, Shehu tha se tash mendon ta merr rrugën për mërgim.
Ish- kandidati për pjesëtar të FSK-së, Eurolind Shehu, thotë është rritur në frymë patriotizmi dhe si i vogël kishte ëndërruar të ishte ushtar i Kosovës.
Ai bën të ditur se babi i tij poashtu ishte pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Si junikas jam rritur në frymë patriotizmi pasi prindi im ka qenë pjesë e UÇK-së dhe prej i vogël kam pas ëndërr me qenë ushtar i Kosovës” – tha Shehu për Gazetën Insajderi.
Shehu thotë se nga FSK u largua shkaku i tatuazhit.
Derisa shton se ishte njoftuar se nuk duhet mbajtur tatuazhe tek pas përfundimit të testeve të pranimit.
“Lajmin për tatuazhe e mora pasi kaluan procedurat, testet e pranimit në fund na thanë kush ka ndonjë tatto nuk mund te vazhdoj më tej” – u shpreh Shehu.
Tutje, junikasi shpjegon lidhjen me tatuazhin dhe tregon nëse e ka ndërmend ta heq atë.
“Si i pasionuar për atdhe kam pas qejf që me pas një shenjë që simbolizon vendin tim. Tatuazhin e kam bërë në një moshë të re si 18 vjeçar dhe nuk jam kurrë pishman dhe nuk kam menduar ta heq sepse është krenari për mua” – nënvizon Shehu.
Krejt në fund, ish-kandidati për pjesëtar të FSK-së tha është i dëshpëruar me Kosovën për mosrealizimin e ëndrrës së tij.
Ai thekson se kjo e ka shtyrë atë ta marrë rrugën për mërgim.
“Planet e mia si i dëshpëruar me vendin tim pas mos-realizimit të ëndrrës sime po më shtyn ta marrë rrugën për gurbet si shumica e të rinjve në Kosovë” – përfundoi Eurolind Shehu.
Eurolind Shehu, fotografia marrë në Facebook
Lidhur me debatin nëse është e nevojshme mospasja e tatuazheve si dhe nëse ishte i drejtë largimi i rekrutëve, Gazeta Insajderi kishte kontaktuar me ish-komandantët e FSK-së, Kadri Kastrati dhe Xhavit Gashi, të cilët kanë dhënë mendimet e tyre në lidhje me debatin për tatuazhet e pjesëtarëve të Forcave të Kosovës.
Sipas ish-komandantit të FSK-së, gjeneral Kadri Kastrati, FSK duhet ta respektojë rregulloren, por thekson se ajo duhet të rishikohet.
Kastrati thotë që tatuazhet e vogla nuk duhet të jenë problem në të ardhmen për të rinjtë dhe të rejat që kyqen në FSK.
“Rregullorja e thotë që qartë që ushtarët apo kadetët nuk lejohen që të kenë tatuazhe aty ku duken, në vendet ku ekspozohen, kështu që unë mendoj që FSK duhet ta respektojë rregulloren përderisa është ajo rregullore, por prapëseprapë mendoj që ministri i mbrojtjes do të duhet ta rishikojë sepse disa tatuazhe të vogla që kanë simbole kombëtare dhe janë shumë të vogla fare pak vrehen mendoj që nuk do të duhej të ishte problem në të ardhmen për të rinjtë dhe të rejat që kyqen në FSK, qoftë ushtarë qoftë kadetë” – tha Kadri Kastrati.
Sipas ish-gjeneralit, Xhavit Gashi, Kosova nuk e ka lluksin që të largojë për shkak të tatuazhit persona që e kanë vullnetin me vdekë për vendin
“Në kohën e tanishme nuk e kemi luksin as ne, e as ushtritë e tjera në botë që për një tatuazh t’i diskualifikojmë rekrutët apo kadetët që kanë vullnetin me shërbye edhe me vdekë për vendin” – tha Gashi